E Hënë, 2 Nëntor 2026

Drejt përfundimit spitali i ri i Kirurgjisë Kardiovaskulare, Koçiu: Një nga investimet më të rëndësishme në shëndetësi

TIRANË, 21 gusht /ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau sot pamje nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku po punohet për përfundimin e detajeve të fundit të Spitalit të ri të Kirurgjisë Kardiovaskulare.

Koçiu e cilësoi këtë investim si një nga më të rëndësishmit në sistemin shëndetësor, që do të garantojë shërbime moderne dhe të specializuara për pacientët.

“QSUT, ku po punohet për detajet e fundit të Spitalit të ri të Kirurgjisë Kardio-Vaskulare, një nga investimet më të rëndësishme në sistemin tonë shëndetësor”, shkruan ministrja Koçiu.

Ky investim është një financim i qeverisë shqiptare me vlerë 4,3 milionë euro, në kuadër të modernizimit të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Është një investim rrënjësor, i pari i këtyre përmasave që prej ndërtimit të këtij spitali në vitet ’80.

Investimi në spitalin e ri përfshin: Shërbimin e kirugjisë vaskulare; Shërbimin e kardiokirurgjisë; Bllokun operator që do të ketë 3 salla për kardiokirurgjinë dhe 1 sallë dedikuar kirugjisë vazale; Shërbimin e terapisë intensive, që do të jetë i integruar në shërbimin e kardiokirurgjisë, duke lejuar një menaxhim më fleksibël të zonave të trajtimit të pacientëve para dhe pas operacionit.

Gjithashtu janë parashikuar edhe pajisje të reja mjekësore për këtë spital, punimet e të cilit pritet të përfundojnë në dhjetor të vitit 2024.

1 nga 27

/r.e//a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›