E Martë, 3 Nëntor 2026

Drejtori i Eni Albania: Projekt pilot për prodhimin e biokarburanteve, nëntoka ka naftë të cilësisë shumë të mirë

TIRANE, 29 prill /ATSH/ Në takimin për prezantimin e arritjeve kyçe në prodhimin dhe diversifikimin e burimeve të energjisë, drejtori i kompanisë Eni Albania tha se është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për një projekt pilot për prodhimin e biokarburanteve që nis në qytetin e Lushnjës, ndërsa hapi i dytë është bashkëpunimi me Universitetin Bujqësor të Tiranës.

Në takimin ku të pranishëm ishin edhe kryeministri Edi Rama, zv.kryeministrja Belinda Balluku dhe përfaqësues të kompanive që operojnë në këtë fushë, drejtuesi i Eni Albania u shpreh se “veç këtyre nismave që janë në fazën e eksplorimit, ne vendosëm të ndjekim një biznes tjetër për të diversifikuar portofolin tonë”.

“Sapo nënshkruam një marrëveshje bashkëpunimi për një projekt pilot për prodhimin e biokarburanteve. Ky projekt i parë pilot do zhvillohet në Lushnjë, dhe i dyti është bashkëpunimi me Universitetin Bujqësor të Tiranës. Ata do të kultivojnë për ne disa hektarë për të parë potencialin që ka vendi”, tha ai.

Sipas tij, është nënshkruar një marrëveshje për fizibilitetin për të parë mundësinë për të hyrë në fushën e energjisë së rinovueshme dhe transportin e saj nga Shqipëria drejt Italisë.

“Në fushën e hidrokarbureve, Shqipëria për ne konsiderohet si një vend i maturuar. Ne po mbështetemi te potenciali fundor që është i një cilësie shumë të mirë. Cilësia e naftës që zbuloi SHELL në Shpirag flasim për një cilësi shumë të mirë nafte, por këto potenciale që kanë mbetur janë thellë në nëntokën shqiptare, puse që shkojnë deri në 6-7 kilometra thellë”, pohoi ai.

“Lajmi i mirë është që kjo është mëse e provuar që naftën e kemi aty si rezervë, por pjesa e errët e hënës është që nuk vjen me pak kosto. Nën këtë skenar, kompani si e jona e kanë të pamundur të mbajnë gjithë këtë peshë dhe ne mbështetemi te autoritetet, që të vijojmë edhe në të ardhmen”, tha drejtuesi i Eni Albania, ndërsa shtoi se përpjekja e autoriteteve shqiptare për të krijuar një kuadër rregullator të mirë duhet vlerësuar.

“Ne mund të bashkëpunojmë, kemi disa sugjerime që duam t’i ndajmë me ju, veçanërisht për nivelin e investimeve që nevojiten për të kryer dhe për të vijuar eksplorimin në Shqipëri dhe tjetri lidhet me faktin që neve na duhet të garantojmë caqet e qarta për të marrë lejet. Besojmë vërtet te kompetencat e kapitalit njerëzor, pasi mund të kemi pajisjet më të mira, por nëse drejtuesi nuk është aq inteligjent, ç’garë mund të fitojmë. E mirëpresim nismën e akademisë që na u prezantua dhe dua të rikujtoj mundësinë për të përfituar nga kjo”, përfundoi ai.

/a.f//r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›