E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtuesit e klubeve ndërrojnë mendje, të gjithë nën urdhrat e Han në Turqi

Klubet e Kategorisë Superiore janë tërhequr nga kërkesa e tyre për të mos lënë të lirë futbollistët që të marrin pjesë në "zborin" stërvitor që do të zhvillohet në Turqi. Ndonëse gjatë ditëve të fundit trajnerët e skuadrave kryesore protestuan ndaj largimit të futbollistëve të tyre më të mirë gjatë periudhës që zhvillohet faza përgatitore, askush prej tyre nuk ka dërguar një protestë zyrtare në FSHF rreth kësaj çështjeje. Josa, Lika dhe Canaj u shprehën kundër largimit të lojtarëve në mediat sportive gjatë javës së fundit, por pas kontakteve të FSHF-së me klubet, nuk u mor asnjë përgjigje negative. FSHF-ja u ka bërë të ditur klubeve se aktiviteti në fjalë ka qenë i planifikuar që në fillimin e sezonit dhe se ishte miratuar pikërisht nga përfaqësuesit e tyre para se të hartohej kalendari i kampionatit. Si rrjedhojë, trajneri Ari Han do të ketë në dispozicion të gjithë futbollistët e përfshirë në listën e publikuar një ditë më parë. Dyshimet e vetme rreth pjesëmarrjes në grumbullimin e Antalia bien mbi dy futbollistë, Sabino Plakun e Dinamos dhe Nevil Deden, mbrojtësin e përfaqësueses. Sulmuesi aktualisht gjendet në Norvegji, ku po provohet në një nga skuadrat vendase. Megjithëse prova e tij përfundon më 13 janar, nëse ai do të firmosë, do të jetë skuadra e re që do të vendosë nëse lojtari do të marrë pjesë në grumbullim me kombëtaren apo nëse do të vazhdojë të qëndrojë në Norvegji. Për sa i përket Dedes, ky i fundit pritet që të udhëtojë shumë shpejt drejt Kinës, pasi është lënë i lirë nga drejtuesit e Tiranës. Edhe në këtë rast, do të jetë skuadra e tij ajo që do të përcaktojë nëse mbrojtësi do të shkojë në Antalia. Pikërisht këto mëdyshje kanë bërë që lista e trajnerit Han të përbëhet nga 27 lojtarë, në mënyrë që të shmangen raste të tilla dhe trajneri të ketë një grup sa më të kompletuar.

Gjithsesi, jo gjithçka po shkon në mënyrën më të mirë për kombëtaren. Duket se miqësorja e planifikuar më 26 mars ndaj Azerbajxhanit ka dështuar, pasi drejtuesit e Federatës Lituaneze kanë bërë të ditur se kanë gjetur një akord me këtë skuadër pikërisht për datën në fjalë. Kjo ka bërë që FSHF-ja të kërkojë kundërshtarë të tjerë për datën e lënë të lirë nga UEFA.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›