E Diel, 1 Nëntor 2026

Përgjaket sërish Pakistani. Atentat në Lahore, 23 viktima

Një kamikaz u ka marrë jetën të paktën 23 personave dhe ka plagosur më shumë se 58 të tjerë, pasi ka hedhur veten në erë jashtë një gjykate në Lahore. Numri i viktimave varion, por agjencia shtetërore e lajmeve thotë se 22 policë dhe një kalimtar kanë mbetur të vdekur. Raportime për një tjetër shpërthim tërhoqën vëmendjen në një vendngjarje të dytë, por ky lajm rezultoi i rremë. Shpërthimi ndodhi në lagjen tregtare të qytetit, disa momente para një proteste të paralajmëruar të avokatëve, para Gjykatës së Lartë në Lahore, në lindje të Pakistanit. Ende askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Kryeministri pakistanez tha në një deklaratë për shtyp se ata që e kishin kryer këtë akt të turpshëm ishin të pafe dhe jonjerëzorë. Policia tha se rreth 100 trupa gjendeshin në vendngjarje, pasi po organizoheshin në prag të manifestimit të paralajmëruar. Kamikazi i ishte afruar kordonit të policisë dhe një nga oficerët kishte tentuar ta ndalonte atë. Pas kësaj, ai kishte hedhur veten në erë. Shumë të plagosur u dërguan në spitalin e qytetit, ndërkohë që dy prej tyre, janë në gjendje të rëndë dhe rrezikojnë kështu të rrisin bilancin e viktimave. Imazhet nga vendngjarja tregonin një panoramë kaotike me policinë në veprim dhe ambulancat që nuk reshtnin së transportuari të lënduar. Policia rrethoi zonën ndërsa skuadrat e shpëtimit ishin në veprim. "Lahore është kryesisht një qytet i qetë", thotë një gazetar lokal, Todd Baer. "Ky është një nga të paktat vende në Pakistan ku nuk janë zhvilluar protesta të dhunshme pas vrasjes së ish-kryeministres Benazir Bhuto. Ndaj, njerëzit janë shumë të tensionuar aktualisht". Muajt e fundit Pakistani është përfshirë nga një valë sulmesh vetëvrasëse që u kanë marrë jetën disa qindra personave. Sipas Ministrisë së Brendshme pakistaneze, vendi është goditur nga më shumë se 50 sulme vetëvrasëse gjatë vitit të shkuar, sulme këto që u kanë marrë jetën 3 mijë personave. Zyrtarët, ndërkohë, paralajmërojnë për rritjen e sulmeve të ngjashme, në prag të muajit të shenjtë të myslimanëve shiitë, të Muharremit, që fillon të premten, periudhë kjo kur tensionet fetare janë të larta. Ai vjen gjithashtu, pas vdekjes së ish-kryeministres Bhuto, që mbeti e vrarë pas një mitingu elektoral në Ravalpindi, në jug të kryeqytetit pakistanez, Islamabad, më 27 dhjetor. Shkaku i vdekjes së saj është ende i paqartë, pasi një kamikaz hodhi veten në erë në afërsi të makinës së saj, ndërsa një kasetë video tregonte edhe një person të armatosur, të pranishëm mes turmës dhe shumëkush beson se Kryeministrja, është qëlluar me plumba në kraharor dhe në qafë. Avokatët në Lahore ndërkohë, zhvillojnë manifestime proteste çdo të enjte, në shenjë proteste kundër ndërhyrjes së qeverisë mbi sistemin gjyqësor në vend. Ndërkohë, Partia e Popullit të Pakistanit, e ish-kryeministres së vrarë, ka deklaruar se i kishte shkruar një letër qeverisë pakistaneze ku i kërkonte asaj një hetim të pavarur të kryesuar nga Kombet e Bashkuara. Partia Popullore e Pakistanit ka paralajmëruar se nëse qeveria dështon në këtë nismë brenda 48 orësh, atëherë ajo do t‘i drejtohej drejtpërsëdrejti Kombeve të Bashkuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›