Ikën Karçev, vjen vlonjati Nenaj
Skuadra e Elbasanit është një prej klubeve më aktive gjatë merkatos së janarit. Verdheblutë kanë lënë të lirë shumë lojtarë gjatë ditëve të fundit, ndërsa i fundit në këtë listë është mbrojtësi maqedonas Nikolla Karçev. Ky i fundit është në provë te skuadra e Bundesligës 2, Erzgebirge Aue, në të cilën militon edhe sulmuesi kavajas Skerdilajd Curri. Meqenëse kontrata e futbollistit me Elbasanin përfundoi në dhjetor, ai është i lirë të kalojë në çdo ekip tjetër. Ndërkohë, skuadrës së Alimehmetit i është bashkuar dje mesfushori vlonjat Roland Nenaj. Ky i fundit është larguar nga Flamurtari, ndërsa do të jetë pjesë e ekipit elbasanas gjatë pjesës së mbetur të sezonit. Mendohet që Nenaj të jetë titullar në skuadër, pas largimeve të Babajt e Nallbanit.