Durrës, vritet me armë zjarri 29-vjeçari

TIRANË, 20 maj /ATSH/ – Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në lagjen nr. 18 të qytetit të Durrësit, ku një 29-vjeçar është qëlluar me armë zjarri dhe ka ndërruar jetë.
Sipas Policisë së Shtetit, rreth orës 00:50, është qëlluar me armë zjarri shtetasi E. D., 29 vjeç, i cili ka humbur jetën në spital si pasojë e plagëve të marra.
Shërbimet e Policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe po vijojnë kontrollet në terren për identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve të dyshuar.
Policia e Durrësit po ashtu njofton se, shërbimet e Policisë së Durrësit, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë së Tiranës, kanë gjetur në fshatin Gërdec, një automjet të djegur dhe brenda tij një armë zjarri, të cilat dyshohet se janë përdorur nga autorët e kësaj ngjarjeje.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe sigurimin e çdo prove që do të çojë në identifikimin dhe kapjen e autorëve.
/a.f/