E Martë, 3 Nëntor 2026

GAZË – Të paktën 60 të vrarë pas sulmeve të fundit izraelite

TEL AVIV, 20 maj /ATSH-DPA/- Sulmet izraelite në të gjithë Rripin e Gazës shkaktuan vdekjen e të paktën 60 personave gjatë natës, thanë sot mjekët për mediat palestineze, ndërsa Izraeli vazhdon me ofensivën e tij të re ndëshkuese ajrore dhe tokësore kundër Hamasit.

Sulmi erdhi një ditë pasi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu u zotua të zhdukë grupin militant palestinez dhe të marrë kontrollin e “të gjitha zonave” të territorit bregdetar me popullsi të dendur.

Agjencia e lajmeve “WAFA” raportoi se 12 persona ishin vrarë në qytetin Deir al-Balah në qendër të Rripit të Gazës. Vdekje të mëtejshme u raportuan në Khan Younis në jug dhe pranë qytetit të Gazës.

“Sulmet e shtuara të Izraelit, pjesë e operacionit të njoftuar të premten në mbrëmje, kanë vrarë më shumë se 100 persona çdo ditë”, sipas të dhënave.

Qëllimi i deklaruar i Izraelit është të shpërbëjë Hamasin dhe të lirojë dhjetëra pengje që ende mbahen nga militantët, 19 muaj pas sulmeve të 7 tetorit 2023.

Pas një bllokade gati tremujore, Netanyahu ka lejuar aksesin e ndihmave bazë dje në Gazë. Ai përmendi presionin nga partnerët ndërkombëtarë të cilët thanë se 2 milionë palestinezë që jetojnë në territor po shkonin drejt urisë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›