Dy helikopterë “Black Hawk” nga EBA mbërrijnë për fikjen e zjarreve, avioni kroat ndërhyn në Gramsh

TIRANË, 11 gusht /ATSH/ Dy helikopterët “Black Hawk” të Forcës Ajrore të Emirateve të Bashkuara Arabe kanë mbërritur sot në Bazën Ajrore të Kuçovës, për t’u angazhuar në operacionet për fikjen e zjarreve në vend.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral-lejtnant Arben Kingji, priti në bazë ekuipazhet dhe stafin e helikopterëve, të cilët do të bashkëpunojnë ngushtë me forcat shqiptare për përballimin e situatës.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, këto mjete ajrore do të forcojnë kapacitetet operacionale në terren, duke ndihmuar në izolimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit në zona të ndryshme të vendit.
Gjithashtu që prej orëve të para të mëngjesit, avioni kroat Canadair ka nisur të veprojë për izolimin e vatrës së zjarrit në Synej të Rrogozhinës.
Ndërsa helikopterët e Forcës Ajrore çeke dhe asaj kroate që operojnë nga Baza e Kuçovës janë nisur drejt Gramshit për shuarjen e zjarrit.
1 nga 5/a.f/