E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy protesta sot në Tiranë: Kundër projektit në Zvërnec dhe “Marshimi për Jetën” drejt Ministrisë së Shëndetësisë

Dy thirrje të ndara për protesta janë shpërndarë në rrjetet sociale dhe pritet të mbledhin qytetarë në qendër të Tiranës gjatë pasdites së sotme, 1 qershor.

Protesta e parë lidhet me kundërshtimin e zhvillimeve në zonën e Zvërnecit. Aktiviteti është planifikuar të zhvillohet në orën 18:00 në Sheshin Skënderbej, me sloganin “Zëri ynë, e ardhmja jonë”.

Organizatorët deklarojnë se protesta synon të ngrejë zërin kundër projekteve që, sipas tyre, rrezikojnë mjedisin dhe pasuritë natyrore të zonës bregdetare të Zvërnecit. Në thirrjet publike theksohet nevoja për transparencë më të madhe dhe mbrojtje të zonave të ndjeshme mjedisore, ndërsa qytetarët ftohen të marrin pjesë me mesazhin “Mos hesht! Ngre zërin! Mbrojmë Zvërnecin, mbrojmë të ardhmen!”.

Paralelisht, një tjetër aktivitet është paralajmëruar nga Koalicioni Shqiptar Pro Familjes & Jetës, i cili ka njoftuar “Marshimin për Jetën”, po në orën 18:00, me nisje nga Sheshi Skënderbej dhe marshim drejt Ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas organizatorëve, kjo nismë zhvillohet në mbështetje të familjes dhe fëmijëve, si dhe shpreh kundërshtim ndaj terapive hormonale transgjinore në sistemin publik shëndetësor. Ata kanë ftuar qytetarët të marrin pjesë së bashku me familjet e tyre, duke e paraqitur marshimin si një aktivitet sensibilizues mbi çështje që lidhen me shëndetin dhe politikat sociale.

Të dy aktivitetet pritet të zhvillohen në të njëjtën orë në zona të ndryshme të kryeqytetit, duke e bërë pasditen e sotme një moment me ngarkesë të lartë qytetare dhe sociale në Tiranë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›