E Diel, 1 Nëntor 2026

Dyshohet se vodhën 22 milionë lekë nga pensionet, në hetim dy punonjëse të Postës në Bilisht

TIRANË, 16 janar /ATSh/ Dy punonjëse të Postës Shqiptare janë proceduar penalisht, pasi dyshohet se kanë vjedhur në bashkëpunim me njëra-tjetrën rreth 22 milionë lekë fonde nga pensionet.

Policia njoftoi sot se janë vënë në hetim shtetaset P. Sh., 29 vjeçe, banuese në Bilisht, me detyrë përgjegjëse e zyrës postare Vishocicë, Devoll dhe E. Ç., 27 vjeçe, banuese në Bilisht, me detyrë arkëtare-llogaritare, në degën postare Devoll.

Sipas policisë, nga hetimet dyshohet se këto shtetase, në bashkëpunim me njëra-tjetrën, gjatë periudhës shtator 2025 – janar 2026, kanë vjedhur rreth 22 000 000 lekë të rinj nga fondi i postës, duke shpërdoruar detyrat.

“Shtetasja P. Sh. dyshohet se ka përvetësuar dhe shpërdoruar fondet e pensioneve dhe të ndihmës ekonomike (kryesisht të pensionistëve që jetonin jashtë shtetit), duke falsifikuar nënshkrimet e tyre, ndërsa shtetasja E. Ç. dyshohet se ka manipuluar, hequr dhe falsifikuar mandatpagesat nga evidenca e librave të arkës dhe sistemit të menaxhimit të parave kesh, për të favorizuar vjedhjen e fondeve nga 29-vjeçarja”, njoftoi policia.

Dy punonjëset po hetohen për veprat penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Falsifikimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim.

Policia njoftoi se vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë të dyshuar që mund të jenë përfshirë në këtë rast.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›