E Hënë, 2 Nëntor 2026

EGJIPT – Al-Sissi: Trump, i vetmi lider i aftë për të arritur paqen në Lindjen e Mesme

SHARM EL-SHEIKH, 13 tetor /ATSH-DPA/- Presidenti egjiptian Abdel-Fattah al-Sissi i ka bërë thirrje presidentit të SHBA-së, Donald Trump të përforcojë armëpushimin midis Izraelit dhe grupit militant palestinez “Hamas” dhe të sigurojë shpërndarjen e ndihmës humanitare në Rripin e Gazës.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp, menjëherë pasi presidenti i SHBA-së, mbërriti në qytetin bregdetar të Sharm el-Sheikh, al-Sissi i tha Trump se ai ishte i vetmi lider i aftë për të arritur paqen në rajon.

Të dy liderët po organizojnë së bashku një ceremoni për të zyrtarizuar marrëveshjen e armëpushimit në Gaza, të arritur së fundmi midis Izraelit dhe Hamasit.

Kur u pyetën nga gazetarët se kur do të fillonte faza e dytë e negociatave, Trump tha: “Për sa na përket neve, ka filluar”.

Fokusi fillestar i negociatave ishte sigurimi i një armëpushimi dhe lirimi i pengjeve.

Plani 20-pikësh i administratës Trump përshkruan qëllimet afatgjata, duke përfshirë çarmatosjen e grupeve militante në Gaza dhe krijimin e një administrate teknokratike që përjashton militantët e Hamasit.

Çështjet kryesore mbeten të pazgjidhura dhe është e paqartë nëse samiti do të rezultojë me një rezolutë konkrete.

Më shumë se 20 udhëheqës pritet të marrin pjesë në ceremoninë e nënshkrimit për të vulosur marrëveshjen midis Izraelit dhe Hamasit, e cila u ndërmjetësua nga Egjipti, Katari, Turqia dhe Shtetet e Bashkuara.

Në një njoftim të shkurtër, Egjipti tha gjithashtu se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do të merrte pjesë, por zyra e tij më pas e anuloi vizitën.

Përfaqësues të lartë të Hamasit gjithashtu nuk pritet të marrin pjesë – një shenjë se rruga drejt paqes së vërtetë është ende e gjatë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›