E Hënë, 2 Nëntor 2026

SLLOVAKI – Të paktën 69 të plagosur pas përplasjes së dy trenave

BRATISLAVË, 13 /ATSH-DPA/- Autoritetet raportuan sot rreth 69 të plagosur pas përplasjes se dy trenave ekspres në Sllovaki.

Ministri i Brendshëm, Matus Sutaj-Estok fillimisht i tha agjencisë së lajmeve TASR se rreth 100 persona ishin plagosur, por shërbimet e shpëtimit dhanë shifra më të ulëta.

Në dy trenat e pasagjerëve kishte gjithsej rreth 80 pasagjerë.

Nuk u raportuan menjëherë viktima. Megjithatë, punonjësit e shpëtimit thanë se të paktën dy persona, ishin në gjendje kritike.

Në një konferencë për shtyp sot pasdite, ministri i Shëndetësisë Kamil Sasko tha se shtatë persona ishin plagosur rëndë.

Helikopterët e shpëtimit u përfshinë në operacionin në shkallë të gjerë. Disa anëtarë të qeverisë shkuan personalisht në vendin e aksidentit, përfshirë ministrat e Shëndetësisë, të Brendshëm dhe të Transportit.

Përplasja midis dy trenave të pasagjerëve ndodhi pranë fshatit Jablonov nad Turnou në Sllovakinë juglindore, afër kufirit hungarez.

Ministri i Brendshëm fillimisht deklaroi se shkak mund të kishte qenë “gabimi njerëzor”.

Dy trenat po udhëtonin në drejtime të kundërta midis qytetit lindor të Kosice dhe Bratislavës në perëndim. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›