E Diel, 1 Nëntor 2026

EMRI/ Europol në kërkim të 34-vjeçarit shqiptar, akuzohet se vrau me thikë bashkatdhetarin në Gjermani

Gjermani– Shpendi Malo, 34 vjeç, me origjinë shqiptare është shpallur në kërkim nga Zyra Federale e Policisë Kriminale (BKA) dhe Europoli.

Malo, akuzohet se ka vrarë një bashkatdhetar 27-vjeçar, në vitin 2019 në një zonë të pyllëzuar të Dölauer Heide në Halle/Saale (Gjermani).

Sipas mediave të huaja, ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:00 më 11 shtator 2019, ku Malo e ka goditur 27-vjeçarin me thikë.

Sipas policisë, trupi i pajetë u hodh në një kanal aty pranë dhe u mbulua me gjethe për të fshehur krimin.

Trupi u zbulua vetëm katër ditë më vonë nga kalimtarët.

Një nga 20 kriminelët më të kërkuar në Evropë

“Bazuar në prova, Shpendi Malo u identifikua si një nga autorët e përfshirë. Megjithatë, autori, me origjinë nga Shqipëria, u largua nga Gjermania menjëherë pas krimit dhe u vu në listën ndërkombëtare të të kërkuarve”, shpjegoi policia e Saksonisë-Anhalt.

“Ne kemi kryer kërkime kombëtare dhe ndërkombëtare për vite me radhë”, tha Dennis Cernota, prokuror.

“Tani Malo po kërkohet edhe nga Europol dhe është vendosur në listën e 20 kriminelëve më të kërkuar të Evropës”, vazhdoi ai./vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›