E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e kryekomisarit Artan Cuku, dënohen me burgim të përjetshëm dy autorët

Gjykata Penale mori vendimin për vrasjen e ish-drejtorit të Policisë së Vlorës, Artan Cuku duke dënuar përjetë, Bledar Jambellin dhe Kristaq Lecin.

Krimi tronditës ndodhi në 2017, ndërsa hetimet hodhën dritë mbi motivet që e shtynë Bledar Jambellin të organizonte vrasjen e tij.

Sipas organit të akuzës, ish-drejtori, Artan Cuku e kishte hetuar e më pas edhe e arrestoi Jambellin, për dy vrasje të vitit 2000.

Ndonëse më pas ai u la i lirë e u shpall i pafajshëm, mori hak, duke i marrë jetën kryekomisarit.

Për ta vënë në zbatim planin Jambelli ndau rolet, ku Kristaq Leci i dënuar po sot, ishte ndërmjetësi mes tij dhe ekzekutorit të krimit, Mikel Shallari.

Ky i fundit u arrestua menjëherë pas ngjarjes, e më pas ndihmoi prokurorinë e kryeqytetit në zbardhjen e detajeve për realizimin e atentatit duke marrë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë.

Shallari përfundimisht përfitoi nga hapësira ligjore dhe u dënua me 10 vjet heqje lirie.

Nga dëshmia e tij ai tha se të nesërmen e ngjarjes së rëndë, ai u pagua 2 mijë euro, ndërsa më pas mori edhe disa pagesa të tjera 200-300 euro.

Megjithë përpjekjet për ta vënë përpara ligjit Bledar Jambellin me precedent të rrezikshëm penalë, drejtësia shqiptare nuk ia ka dalë ende.

Ai u arrestua në Greqi por shteti Helen refuzoi ektradimin e tij, ndërsa sot Bledar Jambelli kërkohet edhe nga autoritetet greke për një tjetër ngjarje./vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›