EMRI/ U fsheh për 6 vite me identitet të rremë, arrestohet në Athinë shqiptari i dënuar për vrasjen me sëpatë të ish-partneres dhe të dashurit të saj! Si ndodhi krimi
Një 44-vjeçar shqiptar, i dënuar me dy burgime të përjetshme për vrasjen e dyfishtë që tronditi Loutrakin në Greqi në tetor të vitit 2020, është arrestuar nga policia greke në zonën e Patisionit, në Athinë.

Ai akuzohet për vrasjen me sëpatë të ish-partneres së tij 43-vjeçare, me origjinë ukrainase, e njohur edhe me emrin grek Fotini, dhe të partnerit të saj, farmacistit 42-vjeçar Ioannis Zonitsas.
Sipas mediave greke, 44-vjeçari Nikolin Pali, dyshohet se përdorte dokumente identifikimi të falsifikuara dhe konsiderohet një person tepër i rrezikshëm. Autoritetet po hetojnë gjithashtu nëse ai është i përfshirë në ngjarje të tjera kriminale gjatë gjashtë viteve që ka qëndruar në arrati.
Burime nga policia greke e cilësojnë atë si një vrasës me pagesë dhe vrasës serial, ndërsa po verifikohen edhe disa vrasje të ndodhura gjatë vitit të fundit, për të zbuluar nëse shqiptari ka pasur lidhje me to.
Arrestimi u realizua pas një operacioni të koordinuar të policisë, e cila ndërhyri në apartamentin ku ai fshihej. 44-vjeçari ishte i armatosur rëndë, por nuk arriti të përdorte as pistoletën dhe as dy granatat që u gjetën gjatë kontrollit.
Sipas informacioneve policore, ai jetonte në apartament me një tjetër grua dhe largohej prej aty vetëm kur kishte për të kryer ndonjë “punë” që kishte marrë përsipër. Hetuesit dyshojnë se ai vepronte si një person i paguar për të kryer vrasje.

Masakra me sëpatë në Loutraki
Krimi i dyfishtë u zbulua më 11 tetor 2020, kur në një banesë pushimi në zonën e Flambouros, në Korinth, u gjetën të pajetë 43-vjeçarja Svetlana, e cila kishte marrë emrin grek Fotini, dhe farmacisti 42-vjeçar Ioannis Zonitsas.
Të dy viktimat kishin marrë goditje të shumta me sëpatë. Që në momentet e para, hetimet e policisë u përqendruan te ish-partneri i gruas, i cili dyshohej se nuk kishte pranuar ndarjen.
Sipas rindërtimit të ngjarjes nga hetuesit, 43-vjeçarja dhe farmacisti kishin kaluar mbrëmjen së bashku në banesën e pushimit. Fillimisht kishin konsumuar verë në oborr dhe më pas ishin futur brenda.
Autori i dyshuar kishte çelësa rezervë të banesës, që dyshohet se i kishte mbajtur nga koha kur ishte në një lidhje me 43-vjeçaren. Ai hyri pa u vënë re në shtëpi dhe i gjeti dy personat në dhomën e gjumit.
Sipas të dhënave të hetimit, shqiptari, i cili ishte rreth 1.92 metra i gjatë, mori një sëpatë dhe sulmoi fillimisht gruan dhe më pas farmacistin.
43-vjeçarja kishte marrë tri goditje në kokë, kishte klavikulën e thyer dhe një plagë fatale në arterien karotide. Ndërsa 42-vjeçari kishte marrë dy goditje në kokë dhe një në zemër.
Pas vrasjes, autori dyshohet se mori telefonat celularë të viktimave dhe u largua nga banesa. Sipas informacioneve të publikuara nga mediat greke në kohën e ngjarjes, Svetlana kishte mbërritur në Greqi nga Odesa e Ukrainës në fund të viteve 1990.
Më vonë ishte vendosur në ishullin e Mykonosit, ku ishte martuar me një biznesmen dhe kishte sjellë në jetë një vajzë. Pas ndarjes, ishte kthyer në Loutraki, ku synonte të niste një jetë të re.

Aty kishte njohur shqiptarin 44-vjeçar, me të cilin kishte pasur një marrëdhënie sentimentale. Por, sipas hetimeve, ai nuk kishte pranuar asnjëherë përfundimin e lidhjes dhe kishte shfaqur sjellje posesive ndaj saj.
Në kohën e ngjarjes, policia dyshonte se xhelozia dhe refuzimi i ndarjes kishin qenë motivet kryesore të krimit. Sipas dëshmive të publikuara në atë kohë, shqiptari e kishte kërcënuar ish-partneren pasi ajo kishte vendosur t’i jepte fund marrëdhënies.
Në mbrëmjen e fundit, 43-vjeçarja kishte ftuar farmacistin në banesën e saj të pushimit. Të dy po njiheshin prej pak kohësh dhe kishin vendosur të kalonin fundjavën së bashku, larg syve të të tjerëve.
Pas krimit, 44-vjeçari dyshohet se mori automjetin e ish-partneres, një Toyota hibride, e transportoi në një zonë të izoluar dhe i vuri flakën, në përpjekje për të zhdukur gjurmët.
Pas vrasjes, ai u zhduk, ndërsa autoritetet greke e kërkuan për vite me radhë në Athinë, Mykonos dhe Shqipëri.
Sipas të dhënave të publikuara në vitin 2020, shqiptari kishte qenë më parë i arrestuar në vitin 2014 për grabitje dhe ishte liruar nga burgu në vitin 2017.
Pavarësisht kërkimeve të vazhdueshme, ai arriti t’u shmangej autoriteteve për gjashtë vite, duke përdorur dyshohet se identitete të falsifikuara.
Tashmë, pas arrestimit në Athinë, policia greke po heton nëse gjatë periudhës që qëndroi në arrati ai është përfshirë në vrasje të tjera apo në aktivitete kriminale të porositura.
