Ekipi shqiptar i Emergjencave Civile në stërvitjen e NATO-s në Bullgari

Në këtë stërvitje nga 8-11 shtator në qytetin Montana të Bullgarisë morën pjesë mbi 1 000 efektivë nga 18 vende anëtare dhe partnere të NATO-s.
Në kuadër të kësaj stërvitjeje u zhvillua edhe “Dita e Vizitorëve VIP”, ku Shqipëria u përfaqësua nga drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes civile (AKMC), Haki Çako, komandanti i Brigadës së Evropës Juglindore (SEEBRIG), gjeneral Bilbil Bitri, si dhe komandanti i Batalionit të Mbështetjes së Emergjencave Civile, kolonel Hajdar Gurra.
Drejtuesit e lartë vizituan ekipin shqiptar pjesëmarrës në stërvitje.
Të kompletuar me pajisje moderne, mjete logjistike dhe kapacitete operacionale, ndër të cilat spikatën Qendra e Lëvizshme Operacionale e AKMC-së dhe ekipi i kërkim-shpëtimit të FA, ata bashkëpunuan me ekipet e vendeve të tjera të NATO-s dhe partnere, duke demonstruar kapacitetet kombëtare për të operuar në të njëjtat standarde për menaxhimin e emergjencave.
Në stërvitjen komplekse të NATO-s “Emergency Management Bulgaria 2025” efektivët nga 18 vende anëtare dhe partnere u ushtruan së bashku për të forcuar aftësinë e tyre për të menaxhuar emergjencat komplekse në një mjedis sfidues sigurie.
/k.s/j.p/r.e/