E Hënë, 2 Nëntor 2026

SHBA pezullon dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën, shkak veprimet e qeverisë

PRISHTINË, 12 shtator/ATSH/ Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë pezulluar për një kohë të pacaktuar dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën.

Në një njoftim në rrjetet sociale, Ambasada e SHBA-së në Kosovë thekson se ky vendim vjen për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e qeverisë në detyrë.

“Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar pa afat dialogun strategjik të planifikuar me Kosovën për shkak të shqetësimeve për veprimet e qeverisë në detyrë që kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar produktivisht me Kosovën në prioritetet e përbashkëta”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Ambasada thekson se SHBA mbetet e përkushtuar në avancimin e interesave të përbashkëta.

“Mbetemi të përkushtuar në avancimin e interesave të përbashkëta nga Shtetet e Bashkuara dhe populli i Kosovës. Marrëdhënia jonë me Kosovën bazohet në një qëllim të përbashkët: forcimin e paqes dhe stabilitetit si bazë për prosperitetin e ndërsjellë ekonomik. Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë, Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e bërë gjatë shumë viteve”, përfundon njoftimi i ambasadës së SHBA-së në Kosovë.

/Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›