AMA prezanton raportin 2024: Pirateria, shqetësim madhor. Nis procesi për matjen e shikueshmërisë. Shqipëria do mbajë 7 rrjete numerike kombëtare

Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), Armela Krasniqi, prezantoi sot në Komisionin për Mjetet e Informimit Publik raportin e veprimtarisë së institucionit për vitin 2024, duke vënë theksin në disa problematika kyçe dhe arritje të rëndësishme gjatë vitit.
Krasniqi theksoi se pirateria e përmbajtjeve audiovizive mbetet një nga fenomenet më shqetësuese. Vetëm gjatë periudhës gusht–dhjetor 2024, si rezultat i bashkëpunimit me platformat ndërkombëtare, u arrit të bllokohen 1.505 video në TikTok dhe të mbyllen 193 profile, të cilat shpërndanin përmbajtje pirate.
Për të njëjtën periudhë, ekipet e AMA-s kanë shqyrtuar gjithashtu 743 video për përmbajtje të dëmshme dhe 1.513 raste të dyshuara për shkelje të të drejtave të autorit.
Në kuadër të udhërrëfyesit për shtetin e së drejtës, Krasniqi theksoi se AMA ka për detyrë të adresojë çështje si përqendrimi i tregut mediatik, rritjen e transparencës dhe matjen e audiencës, një nga prioritetet e vazhdueshme të institucionit.
Gjatë muajve janar–shkurt 2024, AMA ka organizuar tre tryeza konsultative me ofruesit e shërbimeve mediatike audiovizive (OSHMA), me pjesëmarrjen e 70 përfaqësuesve, për të diskutuar mbi krijimin e një strukture të qëndrueshme për matjen e shikueshmërisë.
Për këtë qëllim, në muajt janar–shkurt 2024, AMA organizoi tre tryeza me përfaqësues të ofruesve të shërbimeve mediatike audiovizive (OSHMA), me synimin për të ngritur një strukturë të qëndrueshme matëse. “Si rezultat i këtij bashkëpunimi,”- shtoi Krasniqi,- “u arrit krijimi i Komitetit të Përbashkët të Industrisë (KPI), një organ me 9 anëtarë, ku përfaqësohen operatorë kombëtarë e rajonalë, RTSH dhe agjenci marketingu”.
Ky komitet tashmë ka nisur procedurat për regjistrim gjyqësor, që do t’i hapë rrugë përzgjedhjes së kompanisë që do të kryejë matjen e audiencës në mënyrë të standardizuar dhe të besueshme.
Krasniqi e cilësoi këtë hap si vendimtar për zhvillimin e tregut mediatik, forcimin e konkurrencës së ndershme dhe rritjen e transparencës ndaj publikut dhe reklamuesve.
“U ra dakord për Komiteti i përbashkët i industrisë KPI-në me 9 anëtarë, 3 përfaqësues të t private bartës së licencës kombëtare, 3 përfaqësues të bartës së licencës rajonale, 1 përfaqësues nga RTSH dhe 2 përfaqësues nga agjencitë e marketingut.
KPI, ka vazhduar me regjistrimin në gjykatë që do hapë siparin e përzgjedhjes së kompanisë që do bëjë matjen e shikueshmërisë si instrument shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, por edhe për identifikimin dhe transparencën e mediave kundrejt publikut”, tha Krasniqi.
Një tjetër zhvillim me rëndësi strategjike për vendin është sigurimi i 7 rrjeteve numerike kombëtare për transmetim audioviziv. “Republika e Shqipërisë është i vetmi vend i dakordësuar nga të gjitha shtetet fqinjë – përfshirë Slloveninë, Kroacinë, Greqinë dhe Malin e Zi – që do të mbajë 7 rrjete numerike kombëtare,” deklaroi Krasniqi.
Kjo arritje do të përfshihet në marrëveshjen Adriatiko-Joniane me një shënim të veçantë (asterisk) që e veçon Shqipërinë në rajon. Frekuencat janë pasuri kombëtare, nënvizoi ajo, dhe ndahen sipas parimit të proporcionalitetit.
“Falë punës së inxhinierëve tanë dhe asistencës së ofruar nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit (ITU), u bë e mundur sigurimi i rrjetit të shtatë, i cili përbën një vlerë të shtuar për vendin,” u shpreh Krasniqi. Ajo theksoi se AMA do të mbështesë plotësisht këtë proces, ndërsa faza finale e ndarjes së frekuencave do të kryhet gjithashtu nën asistencën e ITU-së.
/rtsh.al/