Kërkesa e PS, Komisioni i Etikës vendos përjashtimin e Gazment Bardhit për 15 ditë nga punimet e Kuvendit

Pas shqyrtimit të kërkesës së socialistëve për përjashtimin me një muaj të kreut të grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi nga punimet e Kuvendit, Komisioni i Etikës i mbledhur këtë të hënë vendosi lënien e masës në fuqi për 15 ditë.
14 deputetë socialistë kërkuan përjashtimin e Bardhit nga punimet e Kuvendit, pas ofendimeve, sipas tyre, që ligjvënësi demokrat drejtoi ndaj kryeparlamentarit Niko Peleshi, duke e quajtur “zar i Ballës” në seancën plenare të 16 tetorit. Përjashtimi erdhi në vijim të disa paralajmërimeve të dhëna nga Peleshi.
Vetë Bardhi, në një prononcim për gazetarët pas përjashtimit nga seanca, e quajti masën disiplinore pjesë të një “skenari” të ndërtuar për të kaluar raportimet e institucioneve të drejtësisë pa diskutim.
/rtsh.al/