E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekzekutimi i ish-policit Santiago Malko/ GJL prish vendimin, rikthen për gjykim dy të pandehurit

Gjykata e Lartë ka vendosur të prishë vendimin e Apelit të Posaçëm për Ilir Selmanin dhe Elvis Gaçajn, të akuzuar për përfshirje në vrasjen e ish-policit Santiago Malko.

Vendimi u mor në dhomë këshillimi nga trupi gjykues i përbërë nga Ilir Panda, Sandër Simoni dhe Medi Bici, të cilët urdhëruan që dosja të rikthehet për rishqyrtim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Ilir Selmani ishte dënuar më 16 nëntor 2023 me 28 vite burg, ndërsa Elvis Gaçaj me 7 vite.

Vendimi për Gaçajn ishte prishur më herët nga Apeli i Posaçëm, i cili kishte vendosur që çështja të rikthehej për rigjykim në GJKKO.

Tani, edhe vendimi për Selmanin është rrëzuar, duke hapur një fazë të re gjyqësore për të dy të pandehurit.

Procesi për vrasjen e Santiago Malkos vazhdon edhe për Leonard Dukën, i cili ndodhet në fazën përfundimtare të mbrojtjes.

Ndërkohë, Apeli ka rikonfirmuar dënimin me 25 vite burg për Blendi Tetën, një tjetër të përfshirë në këtë ngjarje.

Kujtojmë se, Santiago Malko, ish-punonjës policie, u ekzekutua mbrëmjen e 27 gushtit 2019 me breshëri plumbash në zonën e “Xhamllikut” në Tiranë.

Ai ishte larguar nga detyra pas një sherri për lojërat e fatit dhe ishte një emër i njohur për autoritetet, i dyshuar për përfshirje në disa ngjarje kriminale.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›