"Elisabeta II është një dhi"
Shkëlqimi i bizhuterive, pastërtia e rrobave, eleganca e flokëve, mënyra e "rafinuar" e gjesteve, madje edhe ajo buqetë lulesh që mban në duar, nuk janë gjë tjetër veçse një aparencë e zbrazur, që u mungon diçka thelbësore. Në të vërtetë, Mbretëresha Elisabeta II nuk është gjë tjetër veçse "një shtëpiake e pagdhendur, shpërfillëse, madje një injorante e vërtetë aq sa nuk njeh historinë e familjes së saj". A e merrni me mend se çfarë mendon ajo gjatë inaugurimit të një ekspozite të madhe? Ja se çfarë i pëshpërit në vesh bashkëshortit të saj, Filipit: "Gabohem apo ajo pikturë është e imja?". Tabloja e fundit "e pamëshirshme" e dinastisë "Winsdor" është vepër e një prej studiuesve britanikë më të mëdhenj të monarkisë, David Starkey, i cili ka firmosur një dokumentar televiziv me 17 seri, që flet për familjen mbretërore. Pasi kishte studiuar vërtet nga afër mbretëreshën, studiuesi ishte tronditur nga rezultatet e arritura. Duke arritur në këtë pikë ai sheh një rrugë të vetme për shpëtimin e dinastinë "Winsdor": ngjitjen e Karlit në fron sa më shpejt të jetë e mundur.
Dokumentari televiziv që flet për "shkatërrimin" e mbretëreshës është transmetuar për herë të parë dje në mbrëmje në orën 20.30. Autori ka zgjedhur këtë orë, pasi numri i shikuesve është mjaft i lartë. Pak orë pasi madhëria e saj, Mbretëresha Elisabeta, siç është bërë zakon çdo vit për Krishtlindje, përshëndeti vendin nga ekranet e televizorit, "Channel Four", kishte përgatitur skenarin për ta shkatërruar prezantimin e mitit më të "paoksidueshëm" të Mbretërisë, atë që askush në botë nuk do të guxonte të tallej apo ta përgojonte. Një mit që nuk është vetëm një histori e kaluar, por edhe e tashmja e Anglisë. Starkey, i cilësuar si "njeriu më i ashpër i Anglisë", profesor në Kembrixh dhe shkollën ekonomike të Londrës, tashmë biograf i mbretërisë, duke i treguar gazetës së përditshme "The Guardian" për serinë e fundit të dokumentarit të tij është shprehur në mënyrë shumë brutale: "Mënyra e sjelljes së Elisabetës në lidhje me kulturën, i ngjan paksa asaj së Gëbelsit", ka shpjeguar ai.
Të premten e kaluar gazetat i kishin kushtuar faqe të tëra historisë së mbretëreshës së tyre të dashur, i cila ka arritur edhe rekordin për mbretërinë më të gjatë, duke kaluar "më 20 dhjetor në orën 5 të pasdites" edhe kohën e qëndrimit të mbretëreshës Viktoria në fron. Foto pas fotoje, duke filluar që nga periudha më mallëngjyese, ajo e kurorëzimit të saj. Në atë kohë mbretëresha ishte 20 vjeçe dhe mbante në kokë kurorën mbretërore, kishte veshur pelerinën tradicionale të mbretërve dhe për herë të parë qëndronte e ulur në fron, duke arritur tek ato që jemi mësuar të shohim në vitet pasardhëse, ku duket sikur i ngjan një tezeje të mirë të vjetër, me flokë të lyer e syze. Ndërsa tani, studiuesi duke qenë se e njeh mirë historinë e saj, e përshkruan si një grua të pagdhendur e vulgare.
Prapa kuintave, studiuesi përmend një shembull që në vitin 2003, kur e shoqëroi të vizitonte ekspozitën e Elisabetës I, për të cilën ishte kujdesur ai vetë, iu duk më tepër e shqetësuar për "pijen xhin dhe "Dubbonet" (nga ku ajo informohej) ngaqë po vonoheshin", sesa për ekspozimin e veprave të artit. Komenti i saj i vetëm për organizimin ishte që një prej tablove i përkiste asaj: "Si një shtëpiake kishte trashëguar objekte të shkëlqyera".
Sipas historianit, Elisabeta II nuk ka asnjë tipar të përbashkët me Elisabetën I, e cila përveçse ishte ngjitur në fron në moshën 25-vjeçare, njësoj si ajo, "kishte 20 herë më shumë kulturën e saj dhe fliste pesë ose gjashtë gjuhë të huaja". Duke analizuar fjalimet e Mbretëreshës, studiuesi përfundon se horizonti i saj nuk shkon më tej se ai i të atit e gjyshit, njësoj sikur dinastia "Winsdor" të mos ishte një histori 1500-vjeçare. Dokumentari citon fjalë të rënda edhe në lidhje me "histeriken, të trishtuarën, vetasgjësuesen" Princeshën Diana dhe vazhdon me një pyetje: mos vallë është tani momenti që monarkia britanike të heqë dorë nga drejtimi i kishës së Anglisë? Konkluzioni, për njeriun që përshkruhet si "monark i arsyeshëm" dhe që mbetet shpresa e vetme për mbijetesën e monarkisë është Princi Karl, i cilësuar si "një njeri intelektual, shumë komunikues dhe një baba i shkëlqyer".