E Diel, 1 Nëntor 2026

IRONITE E HISTORISE

Si pa e kuptuar, diskutimet e djeshme në lidhje me ligjin e ri të Akademisë së Shkencave kaluan nga nenet e zymta mbi letër, te historia. Një pjesë e mirë e politikës e zbuloi veten: për ata në Shqipëri shkencë do të thotë vetëm, apo në radhë të parë, histori, pra një mjet që u hyn në punë sa herë që u duhet të ngrenë ndonjë tymnajë nga ato që tashmë ia kanë marrë dorën, apo ndonjë shashkë tjetër të ngjashme. Nuk kishin faj, historia është shkenca më lehtësisht e përdorshme në betejat politike. Ligji i ri për Akademinë tashmë ishte vendosur e megjithatë deputetët u përleshën dhe hynë në gjëra që edhe vetë ata nuk i njohin edhe aq mirë, po të lemë mënjanë rrëfimet e të parëve sigurisht. Diskutimi shkoi aq gjatë, sa që nisën të zihen me gojë edhe gjyshërit. Dhe kjo ndodhte në Parlamentin e një vendi, që shprehjen "cen në biografi" ende nuk e ka harruar.

Në vitin 1941, një historian i ri, hebre francez, Marc Bloch, shkruante në një nga botimet që u bënë më pas themeli i shkencës moderne të historisë: "Njerëzit që kanë lindur në të njëjtin mjedis shoqëror, në data të përafërta, pësojnë detyrimisht, sidomos gjatë kohës së formimit të tyre, ndikime të ngjashme. Përvoja tregon se sjellja e tyre në krahasim me grupe që janë në mënyrë të ndjeshme më të vjetër ose më të rinj, paraqet tipare dalluese zakonisht shumë të qarta. Të rrëmbehesh nga i njëjti debat, qoftë edhe në drejtimin e kundërt, prapëseprapë kjo do të thotë t‘i ngjash njëri-tjetrit. Kjo bashkësi shenjash dalluese, që vijnë nga një bashkësi moshe, përbën një brez…" (Marc Bloch, Apologji për historinë, ose mjeshtëria e historianit, SH.L.K., Tiranë 2003).

Marc Bloch vdiq i pushkatuar nga një togë ushtarësh nazistë në 1944. Një mik i tij, Levbre, e vazhdoi rrugën që kishte lënë heroi i Rezistencës. Bloch e kujtuam me disa qëllime të qarta. Më e para nga të gjitha ka qenë ai i pari që na ka mësuar se, si nazistët, si bolshevikët, ndonëse armiq të betuar, kishin në thelbin e tyre një gjë të përbashkët. Ata përdornin të njëjtën armë: dhunën dhe imponimin e ideve me anë të propagandës. Do Perëndia sot nuk kemi as nazistë e as bolshevikë, porse reminishenca të tyre të frikshme kemi. Përse t‘i fshihemi së vërtetës? Së dyti, e kujtuam sepse me debatet tona për historinë më shumë është marrë politika dhe jo historianët ("Do kërkoj rishkrimin e historisë", thërriti edhe dje Kryeministri, njësoj sikur të ishte ai që e vendos këtë gjë…) dhe, së treti, sepse jeta dhe vepra e kësaj mendjeje të ndritur të Europës lidhet me një periudhë që u diskutua dje edhe në Parlamentin tonë, me pushtimin nazist.

Shumëkush u habit, ndonjë tjetër u gëzua, shumë të tjerë u indinjuan, ca më shumë të tjerë ngritën supet sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Kjo ka qenë përshtypja e parë, kur Kuvendi i Shqipërisë dekoroi me urdhra të larta katër figura historike, mes të cilëve edhe Lef Nosin dhe Ali bej Këlcyrën. Iniciatore e kësaj ngjarjeje ka qenë, sipas shumë gjasave, vetë Kryetarja e Kuvendit, zonja Jozefina Topalli. Si shumë herë të tjera edhe dje, në orët e drekës, kryetarja nuk e përmbajti dot tensionin që sjell kjo punë dhe u mor edhe ajo vetë do kohë me gjyshin dhe me gjyshërit. Nuk është ndonjë gjë e madhe. Kujtdo mund t‘i ndodhë, që një ditë pas "Kshnellave" të jetë i detyruar të merret me lloj-lloj ligjesh, nenesh, sythesh dhe me lloj-lloj inatesh dhe të sharash madje. Kjo është një veti njerëzore. Por më mirë le ta nisim këtë minidebat historik me anën pozitive të asaj që tha zonja Topalli mes shumë gjërave të tjera. Në një moment, disi nëpër dhëmbë dhe e revoltuar, ajo tha një të vërtetë të madhe: Historia nuk duhet parë bardhezi. Jo keq për një politikane. Dhe meqë është kështu, atëherë diskutimin mbi dekorimet e fundit le ta nisim nga pjesa "e bardhë". Lef Nosi ka qenë një nga figurat më të ditura të këtij kombi të paditur. Shumë e kujtojnë si firmëtar të Aktit të Pavarësisë, po veç kësaj ai ka qenë një administrator brilant, një historian falë të cilit kanë ardhur deri më sot shumë nga dokumentet më të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare, një aristokrat që u mundua të ndihë Shqipërinë deri në frymëmarrjen e fundit. Por - dhe tani vijmë pak tek "e zeza" - Lef Nosi që në qershorin e 1944 ka qenë anëtar i Këshillit të Regjencës, pra njëri prej tre kuislingëve që drejtuan qeverinë kukull nën pushtimin nazist. Ka qenë një fat i keq dhe një hap fatal, naiv, i gabuar. Jo vetëm Nosi, por edhe shumë figura të tjera të asaj kohe ishin aq të fiksuar pas idesë së Shqipërisë së Vërtetë, sa që ishin gati të lidheshin jo me Hitlerin, por edhe me djallin vetë, vetëm e vetëm që të bëhej më në fund realitet ëndrra e baballarëve të tyre. Në shumë kuptime ata ishin rilindësit e fundit. Dhe kjo përbën në vetvete pjesën "e bardhë" të kësaj historie. Porse historia ka edhe grackat e saj. Në një kohë kur e gjithë bota e qytetëruar, jo vetëm bolshevikët e stepave, por edhe SHBA, Anglia dhe Franca ishin rreshtuar kundër nazizmit, Lef Nosi ishte njëri prej atyre që u vu në shërbim të tij. Këtë nuk ka se si ta mohojë njeri dhe kjo përbën anën "e zezë" të problemit, nëse kishte parasysh këtë zonja Topalli.

Si të jemi qetësuar ca nga historitë e vjetra, le të kalojmë në shikimin e problemit me një sy tjetër. Lef Nosi, ende zyrtarisht, sa kohë që nuk është shpallur i pafajshëm, është një i dënuar për "krime lufte". Që të mund të dekorohej ky personalitet i madh, më parë i duhesh hequr atij dënimi nga "Gjyqi i Kriminelëve të Luftës". Ai duhej të ishte shpallur tashmë i pafajshëm, nëse kështu mendon drejtësia apolitike shqiptare dhe pastaj të hapej diskutimi për dekorimin e tij. Të ishte vetë ai gjallë sot e kësaj dite, me siguri kështu do të kishte kërkuar. Kështu, nga pasionet tona kemi mbërritur në një situatë absurde: kemi dekoruar një person, të madh e të shquar vërtet, por një kriminel lufte zyrtarisht.

Kjo punë nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës së paqtë matanë Adriatikut. Mareshali Petain, kuislingu i Francës, ishte vërtet edhe ai një njeri i madh. Ishte një patriot francez nga ata të kohës së Bonapartit. Ishte një nga heronjtë e Luftës së Parë Botërore. I vendosur të mbante lart deri në vdekje "Marsejezën" dhe trengjyrëshin e Francës. Por Petain u bë përgjegjës e bashkëpunëtor për qindra mijëra vrasje në bashkëpunim me nazistët. Tani, në Francë, askush nuk thotë që ai nuk ishte një njeri i madh. Ia ka bërë vetë vendin vetes. Por imagjinoni sikur t‘i shkojë mendja Parlamentit francez që ta dekorojë për merita patriotike! Pastaj, ne me shumë ëndje e zell, gati-gati me servilizëm të skajshëm, kemi aderuar në atë që quhet "Aleanca kundër Djallit", e drejtuar në radhë të parë nga SHBA dhe më pas nga Anglia dhe të tjerët. Bëmë mirë se ashtu e kishim një punë, porse të mos harrojmë se shefi i misionit anglez, gjenerali "Trotsky" Davis, u zu rob e më pas u internua në kampet famëkeqe të shfarosjes në dimrin e 1944 në pyjet tona. Nëse nismëtarët e dekoratave të fundit do të kishin lexuar kujtimet e tij - ato janë edhe në shqip dhe të përkthyera në mënyrë të shkoqur - atëherë do ta shihnin se si xhandarët shqiptarë të asaj qeverie, të bashkëdrejtuar nga Nosi, ishin edhe më të egër se sa vetë ushtarët gjermanë në pyjet e Martaneshit. Çfarë do të mendojnë vallë aleatët tanë të djeshëm dhe të sotëm në lidhje me këtë dekoratë?

Zonja Topalli ka harruar edhe një gjë tjetër, që nuk ka aq shumë lidhje me ligje, nene apo sythe. Ajo ka harruar se në Luftën e Dytë Botërore shqiptarët kanë dhënë shumë jetë njerëzish, më së shumti të rinj. Pak, shumë pak, kanë qenë komunistë, nëse është ky problemi. Pjesa më e madhe ishin nga ata që dëgjonin natë për natë Radio Londrën me shpresën se ishin lidhur me Perëndimin, duke shpresuar se edhe Shqipëria e tyre do t‘u avitej demokracive të mëdha. Për fat të keq, apo të mirë, ata nuk e përjetuan tmerrin e diktaturës që erdhi më pas, por kjo nuk do të thotë që ata t‘i vrasim edhe një herë nga fillimi. Nuk e kemi këtë të drejtë. Këtë të drejtë mbase nuk e ka as Perëndia vetë. Ishin ballistë, komunistë, zogistë, fshatarë të thjeshtë pa politikë, emigrantë të kthyer për t‘i shërbyer vendit, kjo ka pak rëndësi. Rëndësi ka që në shumë raste ata u vranë edhe nga plumbat e ushtarëve të drejtuar nga një qeveri kuislingë, mes të cilëve ne patëm fatin e keq të kemi burra të shquar, sikurse ishte Lef Nosi. "4 Shkurti" i 1944 është një tregues i qartë, por nuk ia vlen të zgjatemi edhe aq gjatë me histori të përgjakura.

Diskutimet mbi historinë mund të vazhdojnë pa fund, sidomos kur në të ndërhyn edhe politika jonë e vrullshme, porse ndërsa po shkruajmë këto radhë na duhet t‘i kthehemi realitetit. Në ekranin përballë nesh mësojmë një lajm të rëndë. Një burrë ka vrarë një 47-vjeçar diku andej nga kryqëzimi i "Farmacisë 10" në Tiranë. Versioni i parë, i bërë publik, është se viktima i kishte vrarë më parë atentatorit edhe vajzën edhe djalin, gjykata e kishte lëshuar më pas për "mungesë provash". E gjithë ngrehina e shkrimit që porsa po rrekeshim të mbaronim sikur u shemb si kala prej rëre. "Në djall me gjithë kuislingë dhe medalje - thamë me vete - vetëm të tilla gjëra të mos na dëgjojnë më veshët". Në Parlament Kryeministri vazhdonte të diskutonte me zë të lartë. "Mbillni të lashta, sa më shumë të lashta…", po u drejtohej ai fshatarëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›