Pse ende bota ka nevojë për "të madhin"?
Pothuajse shtatë vjet më parë, kur George W. Bush bëri betimin, pasi u zgjodh President, pushteti dhe lavdia ishin të gjitha të Amerikës. Shtetet e Bashkuara ishin "e fundmja superfuqi që kishte mbetur"
"I madhi" në botë
Sot, SHBA-ja jo vetëm që nuk fluturon, por madje ka ngecur në vend. Presidenti nuk mund të japë më as një makinë të përdorur në pjesën më të madhe të botës, e jo më të shesë një të tillë (siç thuhej dikur për Richard Nixonin). Uashingtoni përballet me dy luftëra në Irak dhe në Afganistan, të cilat nuk është duke i fituar. Rusia, Kina, Evropa dhe ndoshta edhe India, janë duke bërë një hap përpara për të pretenduar një copë lidershipi; "momenti njëpolar" është duke u zbehur e duke i lënë vend shumëpolaritetit. Iku, me sa duket, shekulli amerikan. Ose kështu duket. Mendojeni edhe një herë. Po, është e vërtetë që dollari po bie më me shpejtësi se sa prestigji i Amerikës. Edhe një herë Shtetet e Bashkuara janë duke kaluar një periudhë dyshimi te vetvetja dhe me sëmundje të vetëshkaktuar dhe shtete më të vogla, si Irani, vazhdojnë ta gërryejnë duke kërkuar të shtien në dorë armë bërthamore, ndërkohë që zbehin rolin e Uashingtonit dhe pozitën e tij në Lindjen e Mesme. Por, kush do të merrej me punët botërore, nëse Shtetet e Bashkuara do të ishin vërtet përtokë dhe jashtë? Moska? Rusia neocariste e Vladimir Putinit është një fuqi revizioniste që kërkon hakmarrje për dhjetëra vite poshtërim - real apo të imagjinuar - në duart e Perëndimit. Fuqitë revizioniste duan më shumë për veten e tyre dhe jo përgjegjësi për pjesën tjetër. Përse do të donte bota t‘ia besonte rendin dhe stabilitetin një vendi që ka marrë një yrysh ekspansionist dhe që nuk kupton as interesat e tij më të mira? Për shembull, Rusia duhet të bëjë të pamundurën që të mos lejojë Iranin të kërkojë armë bërthamore. Megjithatë, Moska është shndërruar në një protektor të padeklaruar të Iranit, duke sabotuar sanksionet e ashpra ndërkombëtare, si dhe duke paralajmëruar vazhdimisht kundër ndërhyrjes ushtarake. Rusia është duke manipuluar gjithashtu konflikte lokale për të rivendosur pushtetin e saj në ato shtete që kanë qenë dikur republika sovjetike.
Po Kina?
Ndryshe nga Rusia, Kina është duke u integruar në ekonominë botërore, gjë që kërkon respektim të rregullave. Pekini është gjithashtu shumë i kujdesshëm, kur bëhet fjalë për konvertimin e rritjes së vet shumë të shpejtë ekonomike në fuqi dhe ambicieve ushtarake. Por, ajo nuk mund të jetë një kolonë për rendin botëror liberal. Ashtu si Rusia, edhe Kina kërkon më shumë për vetveten, sesa për të tërën. Ajo vë mbi gjithçka energjinë dhe lëndët e para. Kështu, Berlini i ofron strehë qeverisë së Sudanit të pasur me naftë, megjithëse Kartumi është i përfshirë në spastrim etnik me pasojë vdekjeje në Darfur. Kina tërhoqi gjithashtu këmbët zvarrë kur bëhej fjalë për t‘i ushtruar presion Koresë së Veriut për armët e saj bërthamore. Dhe, ashtu si Rusia, Kina është duke mbrojtur Mahmud Ahmadinexhadin e Iranit, duke kundërshtuar sanksionet që vërtet "do të dhembnin". Evropa paraqet një problem të kundërt. BE-ja demonstron një sens rendi përtej kufijve. Ajo mbështet zhvillimet demokratike, zgjidhje paqësore të konflikteve, tregtinë e hapur dhe një politikë rigoroze për sa i përket klimës. Por, pavarësisht të gjitha pasurive - me një ekonomi pothuajse sa ajo e Amerikës - ajo nuk prodhon fuqi në përpjesëtim të drejtë me asetet që ka. Si mundet, kur vendi më i madh i Bashkimit Evropian, Gjermania, shpenzon të njëjtën pjesë të buxhetit për mbrojtje sa edhe më i vogli, Luksemburgu (1.4 për qind të GDP-së)? Në SHBA, ky përpjesëtim është tri herë më i madh. Gjermania hodhi në terren 7 milionë ushtarë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Sot, ajo nuk mund të dërgojë as 8000 të tillë jashtë vendit. Megjithatë, problemi i vërtetë i Evropës nuk janë burimet, por vullneti: A ka apo jo një vizion global, ose një strategji madhore? Dhe nuk ka shumë për t‘u menduar. BE-ja nuk është një shtet, por një koleksion prej 27 shtetesh, që duhet të shpallin me kujdes një interes të përbashkët përmes negociatash të lodhshme.
Ekonomia
Në ekonomi funksionon për mrekulli në hartim strategjish, aspak. Atëherë, kush do të merrej me punët botërore, nëse SHBA-ja nuk do ta bënte? Uashingtoni është ende i vetmi aktor botëror me interesa globale dhe me mjetet për t‘i ndjekur këta. Ishin Shtetet e Bashkuara që vepruan më në fund për të ndalur luftërat në Ballkan. Ishin Shtetet e Bashkuara që orkestruan diplomacinë shumëpalëshe, që bindi Korenë e Veriut të ndalë programin e saj të armëve bërthamore. Dhe nëse ndokush do të ringjallë procesin e paqes ndërmjet Izraelit dhe palestinezëve, nuk do të jetë Brukseli, Pekini apo Moska. Vetëm Shtetet e Bashkuara kanë vullnetin dhe mjetet e nevojshme për të garantuar sigurinë e të dyja palëve. Po kështu, nëse Shtetet e Bashkuara largohen nga Iraku, askush nuk do të mbetet për të parandaluar ndarjen dhe vrasjet në masë. Problemi është se Shtetet e Bashkuara nuk kanë vepruar saktësisht si një kolonë stabiliteti në të kaluarën e afërt. Duke u dhënë pas joshjeve imperiale, ata kanë larguar miq dhe institucione ndërkombëtare. Teorikisht, zgjidhja është shumë e thjeshtë: kjo superfuqi duhet që të mbyllë hendekun mes forcës së saj të jashtëzakonshme dhe legjitimitetit të dëmtuar. Forca nuk të bën të fitosh miq dhe fuqia e madhe, sidomos kur përdoret në mënyrë liberale, gjeneron kundërfuqi, zemërim dhe rezistencë. Kështu që forca duhet të ecë paralel me përgjegjshmërinë. Njeriu që do të drejtojë së afërmi Shtëpinë e Bardhë, mund ta mbajë fare mirë mend epokën e artë të diplomacisë amerikane në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë, kur Uashingtoni ndiqte interesat e tij në një sërë institucionesh ndërkombëtare - nga Kombet e Bashkuara në NATO, nga FMN-ja në OBT - që u ndërtuan dhe u mbajtën në këmbë prej Shteteve të Bashkuara. Ata kishin të gjithë një emërues të përbashkët: u shërbenin interesave amerikane. Nuk ishte mirësia, por maturia që ktheu fuqinë e madhe në lidership. Ose, për ta shprehur ftohtë në terma strategjikë: Nëse "I madhi" nuk vetëpërmbahet, të tjerët do ta bëjnë, dhe "qyteti mbi kodër", që pelegrinët kërkuan ta ndërtojnë në Botën e Re, do të jetë shumë lart, por gjithsesi një vend i vetmuar.