Emërimi i Zheni Gjergjit drejtoreshë spitali, Berisha: Shkelmoi besimin e demokratëve, automatikisht jashtë PD-së

TIRANË, 22 tetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se kush shkelmon besimin e demokratëve është i përjashtuar nga kjo forcë politike.
Reagimi i kreut të PD-së erdhi pasi u pyet sot gjatë një konference për mediet në lidhje me largimin nga radhët e Partisë Demokratike të ish-deputetes Zheni Gjergji, e cila u emërua drejtoreshë e Spitalit të Elbasanit.
Berisha tha se të gjithë ata që marrin vendimin “të kalojnë në partinë e krimit, janë në partinë që i përkasin”.
“Nuk është kjo një raport i këtyre individëve me Sali Berishën. Kemi të bëjmë një raport me ata që i kanë votuar, me ata që i kanë mbështetur. Një gjë mund të them, për Sali Berishën, të gjithë ata që shkelmojnë mbi atë besim dhe atë mbështetje, janë automatikisht jashtë kësaj force politike”, deklaroi Berisha.
“Sepse 99,9% në mos më shumë, të atyre që i kanë mbështetur këta individë janë të papunë, janë në kushte të vështira, por nuk jepen. U kanë shërbyer këtyre pak, se janë shumë pak, 3-4 vetë janë gjithsej, kështu që bëjnë një vendim, kalojnë në partinë e krimit, në partinë që i përkasin dhe vetëm kaq. Pra, ky është komenti jo vetëm për atë, por për të gjithë ata. 3-4 janë në Shqipëri, mund të jenë edhe më shumë”, tha Berisha.
Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Zheni Gjergji u emërua dje drejtoreshë e Spitalit Rajonal “Dr. Xhaferr Kongoli” në Elbasan. Ajo theksoi se “kjo nuk ishte një zgjedhje e lehtë politike, por një vendim thellësisht profesional dhe njerëzor”.
/m.q/j.p/r.e/