“Enigma”, 7 të arrestuar në gjyq, 6 të akuzuarit për trafik droge e pjesëmarrje në organizata kriminale mbeten në burg

Gjykata e Durrësit la në burg këtë të dielë 6 nga 7 të arrestuarit e operacionit “Enigma” dy ditë pasi u arrestuan duke drekuar në një restorant lukzos në Gjirin e Lalzit.
Gjykata ka vendosur ‘arrest në burg’ për Xhevdet Plakun, Voltan dhe Jugert Xhani, Fatjon Qesja, Oltion Hasani, Flobenc Meçja (Gega) ndërsa për Alfred Hasanajn është vendosur masa “detyrim paraqitjeje” dhe ndalim daljeje jashtë vendit.
Ata u paraqitën sot në Gjykatë nën masa të rrepta sigurie me praninë edhe të FNSH.
Seanca nisi rreth 1 orë e gjysmë me vonesë për shkak të mbërritjes së Voltan Xhanit dhe Meçjas, të cilët nuk ndodheshin në ambientet e paraburgimit të Durrësit.
7 të arrestuarit u kapën në befasi teksa po konsumonin drekë në një restorant, ndërsa 4 prej tyre ishin edhe të armatosur në momentin e bastisjes
Mes të arrestuarve është edhe Xhevdet Plaku, i njohur me nofkën “Kiss”, i cili ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi ishte arratisur nga burgu i Ankonës në janar të këtij viti ku vuante dënimin për trafik droge.
Ndërsa Flobens Meçja, alias Gega alias Drini nga Shkodra ishte shpallur në kërkim nga SPAK-u prej një viti, si pjesë e dosjes “Plumbi i Artë”. 43 -vjeçari akuzohet për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve për të kryer vrasje”.
Voltan Xhani është i dyshuari kryesor për organizimin e vrasjes së Elis Rroshkodolit në lagjen “Ahmet Haxhiu” në Shkodër mesditën e 30 gushtit 2024. Sipas policisë, 39-vjeçari, resident në Holandë, ka siguruar armët dhe makinat që u përdorën në vrasje, ndërsa i vëllai, Jugerti e ka përkrahur në krim. Dy vëllezërit janë pronarë të disa bizneseve./vizionplus.tv