E Diel, 1 Nëntor 2026

Epopeja e UÇK, Kosova nderon komandantin Adem Jashari

PRISHTINË- Nisi sot ne Kosove nje ceremoni solemne tre ditore në perkujtim te komandantit legjendar te Kosoves Adem Jasharit. Në Kosovë filluan sot në mesditë ceremonitë e treditore të manifestimit gjithëpopullor tradicional “Epopeja e UÇK-së”, në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, me parakalimin e kuadrateve të FSK-së, me pjesëmarrjen e drejtuesve të institucioneve më të larta dhe përfaqësuesve të Familjes Jashari nga Prekazi.
Më 5, 6 e 7 mars 1998, në Epopenë e Prekazit, në mbojtje të pragut të shtëpisë dhe Kosovës, në luftën për liri dhe pavarësi, në përballje me sulmin e egër të forcave serbe, ranë heroikisht 56 anëtarë të Familjes Jashari, 20 prej tyre të Familjes së ngushtë të Komandantit Legjendar Adem Jashari.

Familja e Adem Jasharit: Bashkë ta çojmë Kosovën përpara, ta bëjmë shtet të fortë
Duke përshëndetur fillimin e manifestimit treditësh gjithëpopullor tradicional “Epopeja e UÇK-së”, sot në kazermën e FSK-së “Adem Jashari” në Prishtinë, familja e Komandantit Legjendar Adem Jashari bëri thirrje për unitet.
Në emër të familjes heroike nga Prekazi, Bekim Jashari, duke përshëndetur të gjithë të pranishmit në manifestim dhe qytetarët e vendit, përkujtoi se “populli ynë sot 14 vite më parë ishte në luftë, Kosovën e kishte kapluar tumi dhe flaka, por ishim bashkë, e ndihmuam njëri-tjetrin, që ne sot të gëzojmë lirinë”.
“Atëherë, vallë ne sot pse duhet kaq vështirë ta kemi që të jemi bashkë, ta duam njëri-tjetrin, ta ndihmojmë njëri-tjetrin, që ta çojmë këtë vend përpara, ta bëjmë shtet të fortë, konkurrent me shtetet tjera”, theksoi djali i heroit Hamëz Jashari.

“Epopeja e UÇK-së”, do të përmbyllet më 7 mars, me ndezjen e zjarreve, në orën 18:00 në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe në të gjitha fushëbetejat të UÇK-së, në gjithë territorin e Kosovës në të njëjtën kohë do të ndizen flakadanët e zjarrtë.

Jahjaga ne SHBA, telegram familjes Jashari
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila ndodhet për vizitë në SHBA, i është drejtuar me një telegram familjes Jashari, me rastin e përvjetorit të betejës së lavdishme të 5, 6 e 7 marsit 1998.
“Në pamundësi për të marrë pjesë në Manifestimin e Epopesë së UÇK-së për shkak të vizitës jashtë shtetit, ju shpreh nderimet dhe respektin për veprën e lavdishme të Komandantit Legjendar të UÇK-së, Heroit të Popullit, Adem Jashari, sakrificës sublime të familjes Jashari dhe të të gjithë dëshmorëve të UÇK-së që simbolizohet në këtë ditë të madhe”, shprehet Jahjaga.
Ajo thekson se përkushtimi i heronjve dhe atdhedashuria, mbesin udhërrëfim për ne, janë bazament i shtetësisë dhe pavarësisë së Republikës së Kosovës, i lirisë që gëzojmë sot.
“Në punën tonë, inspirimin dhe forcën për të ecur përpara dhe për t’i kapërcyer të gjitha vështirësitë, e marrim tek këta heronj, te këta bijë dhe bija të shtrenjtë të Kosovës.Vepra e dëshmorëve është udhërrëfim i përjetshëm për të gjithë ne”, përfundon Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Thaci: 14-vjetori i Epopese se UCK perkon me 100-vjetorin e pavaresise se Shqiperise
Në manifestimin e hapur me Himnin Kombëtar dhe Himnin e Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi theksoi se “14-vjetori i ‘Epopesë së UÇK-së’ përkon edhe me 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe Flamurit Kombëtar.
“13 vjet në Kosovën e lirë dhe 4 vjet në Kosovën e pavarur janë të pamjaftueshme për realizimin e të gjitha ëndërrave, por të mjaftueshme për të treguar vendosmërinë dhe vullnetin për të krijuar insitucione të përgjegjshme, shoqëri bashkëkohore dhe shtet modern europerëndimor”, u shpreh Thaçi.
Manifestimi “Epopeja e UÇK-së”, (5, 6 dhe 7 mars) organizohet nga qeveria në nderim të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në kujtim të Komandantit Legjendar Adem Jashari, Familjes Heroike Jashari dhe gjithë dëshmorëve të kombit, si dhe të gjithë të rënëve për lirinë dhe pavarësinë e vendit dhe popullit tonë, me moton “Nderojmë të kaluarën –ndërtojmë të ardhmen”.
Manifestimi i filluar me ceremoninë kryesore në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, me parakalimin e kuadrateve të FSK-së, vazhdon me një program kulturor-artistik nga ansamblet dhe këngëtarët e njohur të estradës dhe të ansamblit “Shota”.
Nesër, më 6 mars, do të bëhen homazhe te Kompleksi Memorial i Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe Familjes Jashari në Prekaz, nga ora 10:00 -12:00.
Ndërsa, në orën 18.00, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, do të mbahet Akademia Përkujtimore, kushtuar Komandantit Legjendar Adem Jashari, Familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të kombit. Akademia do të ketë edhe një program artistik nga Filarmonia e Kosovës.
Më 7 Mars, në ora 18.00, në Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz do të mbahet manifestimi “Nata e Zjarreve” ku do të ndizen pishtarët simbol i luftës dhe sakrificës për liri, si dhe në të gjitha vendet ku janë zhvilluar betejat e UÇK-së në Kosovë.
Ndërsa programi kulturor-artistik, do të mbahet në sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj. Më 5, 6 e 7 mars 1998, në Epopenë e Prekazit, në mbojtje të pragut të shtëpisë dhe Kosovës, në luftën për liri dhe pavarësi, në përballje me sulmin e egër të forcave serbe, ranë heroikisht 56 anëtarë të Familjes Jashari, 20 prej tyre të Familjes së ngushtë të Komandantit Legjendar Adem Jashari./m.m/

(d.b/el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›