Evakuime, rrëshqitje dherash e përmbytje/ Ministria e Mbrojtjes: Shkodra, Lezha, Durrësi, Fieri, Berati dhe Gjirokastra, më problematiket. 150 efektivë të FA në terren

Gjashtë janë qarqet që janë përballur me situata më problematike gjatë 24 orëve të fundit si pasojë e reshjeve të shiut, përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dherave e inerteve.
Ministria e Mbrojtjes ka bërë me dije se në qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës, Fier, Berat dhe Gjirokastër situata ka qenë më problematike se në qarqet e tjera, ndërsa sqaron se Strukturat e Mbrojtjes Civile dhe Forcat e Armatosura, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Ministrisë së Mbrojtjes janë angazhuar në terren për përballimin e emergjencës, evakuimin e banorëve, ku është e nevojshme dhe minimizimin e dëmeve.
Ministria e Mbrojtjes ka bërë me dije se niveli i Vjosës në Novoselë ka kaluar mbi 8 metra, duke përbërë një situatë kritike. 13 familje janë evakuuar pranë në Urës së Mifolit dhe në Novoselë.
Në Lezhë, Ministria bën me dije se rreth 3000 ha tokë bujqësore janë nën ujë, ndërsa janë evakuuar 2 familje në njësitë administrative Dajç, Babullojë, Balldren dhe Shënkoll. Po ashtu, ka pasur rrëshqitje dherash në fshatrat Torovicë dhe Tresh dhe po punohet për mbylljen e çarjes së argjinaturës në lumin Droje, fshati Dukagjin.
Në Durrës, 250 persona janë të strehuar në Shtëpinë e Pushimit të FA dhe 55 persona janë strehuar në Kovalishencën e Ministrisë së Brendshme.
Sa i përket bashkisë Shijak, në 15 banesa ka pasur prezencë uji, ndërsa në Gjirokastër Ministria thekson se si pasojë e rrëshqitjes së dherave në aksin me Tepelenën, qarkullimi është i kufizuar.
Situata e reshjeve ka sjellë problematika edhe në Korçë, si për shkak të rrëshqitjeve të dherave, disa rrugë janë të pakalueshme.
Rreth 150 efektivë të Forcave të Armatosura, janë angazhuar në terren për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve.
Situata sipas qarqeve paraqitet si më poshtë:
Shkodër: rritje të nivelit të ujit në fshatin Obot, me rreth 60 cm ujë mbi rrugën kryesore. Qarkullimi bëhet vetëm për mjete të tonazhit të lartë; rritje të sipërfaqeve të tokave bujqësore nën ujë; 15 banesa të rrethuara nga uji në Vaun e Dejës; në disa fshatra të Malësisë së Madhe ka rugë të bllokuara dhe prezencë uji; në bashkinë Fushë-Arrëz janë evidentuar shkarje dherash dhe rënie gurësh, prezencë e shtuar e ujit në rrugët autorurale, që kanë shkaktuar dëmtime.
Lezhë: rreth 3000 ha tokë bujqësore janë nën ujë; është bërë evakuimi i dy familjeve; rreth 100 banesa janë të rrethuara nga uji, kryesisht në njësitë administrative Dajç, Babullojë, Balldren dhe Shënkoll; rrëshqitje dherash në fshatrat Torovicë dhe Tresh dhe po punohet për mbylljen e çarjes së argjinaturës në lumin Droje, fshati Dukagjin.
Vlorë: niveli i Vjosës në Novoselë ka kaluar mbi 8 metra, janë evakuuar 13 familje pranë Urës së Mifolit dhe në Novoselë. Nuk ka prezencë uji në banesa.
Durrës: aktualisht situata është drejt përmirësimit, por po punohet për heqjen e ujit nga rreth 800 banesa dhe objekte, veçanërisht në zonën e burgut, ish- Kënetës, Shkozet dhe Nishtullë. Në terren ndodhen ekipe të vlerësimit të dëmeve që po vazhdojnë evidentimin dhe dokumentimin e rasteve: 250 persona janë të strehuar në Shtëpinë e Pushimit të FA, Durrës dhe 55 persona janë strehuar në Kovalishencën e Ministrisë së Brendshme. Lumenjtë Erzen dhe Ishëm, si dhe kanali i Tones janë në kuota maksimale; disa rrugë të qytetit mbeten të bllokuara, për shkak të pranisë së lartë të ujit.
Bashkia Krujë: si pasojë e çarjes së argjinaturës së lumit Droje ka vërshime uji në dy fshatrat: Dukagjin i Ri dhe Miliska. Në fshatin Miliska uji ka hyrë në banesa, ku janë prekur 50 familje. Në terren ndodhen ekipe të Bordit të Kullimit Durrës, për përballimin e situatës.
Bashkia Shijak: ka prani uji në 15 banesa. Situata problematike veçanërisht në njësitë administrative Xhafzotaj, Maminas dhe Gjepalaj.
Gjirokastër: si pasojë e reshjeve të dendura ka rrëshqitje dherash në aksin Tepelenë-Gjirokastër, ku qarkullimi është i kufizuar; po punohet për rikthimin e energjisë në disa zona malore; ka nivele të larta të lumit Vjosë në Memaliaj dhe Përmet.
Kukës: lumenj në kuota të larta, por pa problematika aktuale.
Tiranë: rritje e niveleve të lumenjve në Rrogozhinë dhe Kavajë, por pa rrezik të menjëhershëm për zonat e banuara.
Korçë: disa rrugë të pakalueshme në Devoll; evidentuar rrëshqitje dherash dhe bllokime rrugore në Pogradec dhe Prrenjas; në Maliq, sipërfaqe të tokave bujqësore nën ujë.
Berat: rreth 95 ha tokë bujqësore nën ujë; ëshë evidentuar rritje e nivelit të lumit Osum; në lagjen 22 Tetori dhe Goricë, janë marrë masa për sigurimin e bizneseve dhe punohet për largimin e ujit nga pedonalja me pompa thithëse.
Fier: rreth 200 ha tokë bujqësore e përmbytur; prezencë uji në 27 banesa në disa fshatra; në qarqet e tjera nuk paraqiten problematika serioze.
Angazhimi i Forcave të Armatosura dhe mjeteve në terren: në total janë angazhuar: rreth 150 efektivë të Forcave të Armatosura; mbi 20 mjete të kalueshmërisë së lartë dhe të tonazhit të rëndë; 10 gomone/motobarka shpëtimi; 15 pompa thithëse me kapacitet të lartë dhe të vogël.
Forcat janë shpërndarë kryesisht në qarqet Shkodër, Lezhë, Vlorë, Durrës, Gjirokastër dhe Fier, në funksion të evakuimeve, përforcimit të argjinaturave dhe largimit të ujërave.
U bëhet thirrje të gjithë banorëve në zonat e prekura:
– Të ndjekin udhëzimet e autoriteteve vendore dhe të Mbrojtjes Civile;
– Të shmangin lëvizjet e panevojshme, veçanërisht në zona të përmbytura ose me rrëshqitje dherash;
– Të raportojnë menjëherë çdo situatë rreziku pranë strukturave përgjegjëse;
– Të bashkëpunojnë në rastet e evakuimit për garantimin e sigurisë së jetës dhe pronës.
Situata vijon të monitorohet në mënyrë të pandërprerë dhe strukturat përgjegjëse mbeten në gatishmëri të plotë.
/rtsh.al/