Reshje bore në Dibër, policia apel drejtuesve për kujdes, ja situata në akset rrugore

Mëngjesi i sotëm ka sjellë reshje dëbore deri në lartësinë 600 metra mbi nivelin e detit, ndërsa në zonat mbi 1200 metra trashësia e dëborës ka arritur mbi 20 centimetra në qarkun Dibër. Kompanitë kontraktore të mirëmbajtjes dimërore kanë nxjerrë në terren mjetet borëpastruese dhe aktualisht akset rrugore Peshkopi-Kukës, Peshkopi-Lurë dhe Ura e Çerenecit-Steblevë-Librazhd janë të kalueshme.
Reshje dëbore janë regjistruar edhe në Rrugën e Arbrit, në segmentin nga tuneli T6 deri në hyrje të tunelit të Murrizit, në njësinë administrative Xibër, por pa shkaktuar probleme për qarkullimin.
Policia Rrugore ka intensifikuar patrullimet dhe u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes, të reduktojnë shpejtësinë dhe të përdorin pajisjet anti-rrëshqitëse (zinxhirët). Aktualisht nuk raportohen problematika në zonat e thella të qarkut.