Mblidhet Komiteti i Emergjencave në Vlorë/ Vengu: 3 fshatra në rrezikshmëri të larta pas rritjes së nivelit të Vjosës, jemi në gatishmëri për çdo situatë

Rritja e nivelit të Lumit Vjosa ka vënë në alarm tre fshatra të njësisë administrative Novoselë.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu pas mbledhjes së koordinimit me Komitetin e Emergjencave në Vlorë, ka bërë me dije se është hartuar plani i masave të nevojshme për situatën kritike të krijuar si pasojë e rritjes së nivelit të Vjosës. Vengu theksoi se të gjitha mjetet dhe ekipet e punës janë në gatishmëri për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve në fshatrat Novoselë, Fitore dhe Bishan, aty ku situata paraqitet më kritike.
Ai theksoi se gjatë orëve në vijim pritet që niveli i Vjosës të rritet edhe më shumë.
“Sapo përmbyllëm një mbledhje koordinimi në Komitetin e Emergjencave të Vlorës nën drejtimin e prefektes dhe kryetares së bashkisë dhe në prezencën e FA-ve dhe Emergjencave Civile. Kemi bërë planin e masave sidomos për 3 fshatrat kryesorë që kanë rrezikshmëri të lartë në grykëderdhjen e Vjosës: Fitore, Bishan dhe Novoselë. Urdhri evakuimit e konsideroj të dhënë, mjetet janë në gatishmëri.
Kemi rakorduar skuadrat që duhet të dislokohen në terren menjëherë, qoftë nga pikëpamja e ofrimit të shërbimeve parësore, shëndetësore dhe mjetet eskavatorë, fadromat. Duhet të sigurojmë mbarëvajtjen dhe të ofrojmë mbështetjen e domosdoshme për banorët e zonës.
Pritet rritje e nivele të ujërave, të vijojmë operacionin për evakuimin e bagëtive, 200 krerë në një fermë janë evakuuar, po e bëjmë këtë në të dy anët e Vjosës. Do dislokohemi me FA për mjete kalueshmërie të lartë. Policia është në gatishmëri. Shohim që shërbimet kryesore, energjisë elektrike, ujit janë në kushte optimale”, deklaroi Vengu, teksa bëri me dije se aktualisht janë evakuuar 13 familje.
Ai tha se do të jepet urdhër për evakuim të menjëhershëm sapo të konstatohet se ujërat kanë rrezik depërtimi nga argjinaturat.
“Kemi evakuuar 13 familje. Do japim urdhër në momentin që shohim që ujërat ka në rrezik të depërtojnë nga argjinaturat. Kanalet janë pastruar vazhdimisht, jemi në kushte ku mund të menaxhojmë këtë situatë”, tha ai.
/rtsh.al/