Evazion fiskal dhe produkte të skaduara, pranga administratorit të klinikës dentare

TIRANË, 17 tetor /ATSH/ Policia e Tiranës në kuadër të operacionit policor të koduar “Dentistry”, zbuloi sot një klinikë dentare në “Don Bosko”, ku kryhej evazion fiskal dhe shërbehej me produkte të skaduara.
Policia njoftoi se “gjatë ndërhyrjes në ambientet e klinikës, u kap dhe u arrestua administratori i subjektit, shtetasi turk, A. Y., 59 vjeç”.
“Gjithashtu, u kapën në flagrancë, 3 punonjës të klinikës, konkretisht koordinatorja, shtetasja B. K., 35 vjeçe, si dhe 2 laborantët, shtetasit L. S., 21 vjeçe dhe A. A., 42 vjeç, për të cilët nisi procedimi në gjendje të lirë”, njoftoi policia.
Sipas policisë, nga kontrolli në ambientet e klinikës u gjetën dhe u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, 300 shishe me produkte (shumica, të skaduara), me vlerë rreth 100 000 euro, për të cilat nuk disponoheshin fatura zhdoganimi, si dhe mandate të pafiskalizuara.
Policia bëri të ditur se vijojnë hetimet për të përcaktuar dëmin ekonomik që i është caktuar shtetit, si pasojë e shmangies së detyrimeve tatimore nga ky subjekt.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
/m.q/a.f/r.e/