FISHË TEKNIKE – Stuhi bore, ngrica, ndërprerje fluturimesh, ja situata në disa vende të Evropës

ROME, 7 janar /ATSH/ – Vala e të ftohtit që aktualisht po prek Italinë ka prekur edhe disa vende të tjera evropiane, shkruan skytg24.it.
Nga Franca në Britaninë e Madhe moti i keq po shkakton viktima dhe ndërprerje në transport, veçanërisht në aeroporte ku fluturimet janë ndërprerë, me pasoja të mëdha.
Vetëm nga Amsterdami janë anuluar 600 fluturime. Bora dhe ndërprerjet e fluturimeve kanë përfshirë edhe Spanjën.
Në Francë gjashtë aeroporte u mbyllën për trafikun dhe dyzet përqind e fluturimeve u anulluan këtë mëngjes për shkak të motit të keq dhe borës.
Njëzet e pesë përqind e fluturimeve në aeroportin e dytë të Parisit, Orly, janë anuluar gjithashtu për nesër në mëngjes.
Në Paris, përveç fluturimeve të anuluara në aeroportet e kryeqytetit francez, bllokime trafiku që shtriheshin mbi 900 kilometra u regjistruan në rajonin Ile-de-France të hënën pasdite.
Britania e Madhe
Vala e të ftohtit ka goditur edhe Mbretërinë e Bashkuar ditët e fundit, duke prekur veçanërisht Skocinë dhe Irlandën e Veriut, por edhe Uellsin, Anglinë veriore dhe Anglinë lindore.
Nata e kaluar, sipas Zyrës Meteorologjike, ishte më e ftohta e dimrit deri më tani: temperatura më e ulët u regjistrua në Marham, një fshat në Norfolk, me termometrin që ra në -12.5 gradë Celsius.
Po ashtu shkollat u mbyllën dhe transporti publik u ndërpre në shumë qytete.
Qindra shkolla mbetën të mbyllura për të dytën ditë, veçanërisht në veri të vendit, ndërsa raportohen ndërprerje të mëtejshme të transportit.
Një “defekt teknik” në sistemet e komunikimit radiofonik në Greqi e ndërlikoi situatën e transportit, ku ngritjet dhe uljet u pezulluan, duke lënë të bllokuar, sipas raportimeve të medias, “mijëra” pasagjerë në Greqi dhe të gjithë Evropën.
Spanja
Stuhia Francis solli gjithashtu borë dhe shi në zona të gjera të vendit në Spanjë, duke ndikuar në trafikun në dhjetëra rrugë kryesore.
Në Cadiz, 470 familje u evakuuan për disa orë për arsye sigurie nga zonat përreth qyteteve San Roque dhe Los Barrios, në rrjedhën e poshtme të pellgut të lumit Guadarranque.
Në Malaga, një person u shpëtua pasi makina në të cilën ndodhej ngeci në një pellg uji në një tunel.
Holanda
Qindra aeroplanë nuk mundën të ngriheshin për shkak të reshjeve të dendura të dëborës në Holandë, ku disa trena dhe autobusë u ndaluan gjithashtu.
Operatori kombëtar hekurudhor holandez NS njoftoi se nuk do të niseshin trena deri në orën 10 të mëngjesit, por shërbimet rifilluan në mënyrë sporadike më pas.
Në Utrecht, kompanitë e transportit anuluan të gjithë autobusët në rajon deri nesër në mëngjes për shkak të kushteve të rrëshqitshme të rrugëve.
Vala e të ftohtit po prek edhe vende të tjera evropiane. Temperaturat në rënie, ngrica dhe bora po arrijnë në brigjet holandeze dhe po prekin gjithashtu Francën dhe Gjermaninë.
Situata është e rëndë në Bosnjë dhe Hercegovinë, ku reshjet e dendura të borës po shkaktojnë ndërprerje serioze.
Në Sarajevë, ra mbi gjysmë metri borë dhe një pemë që ra goditi një grua, duke e vrarë menjëherë. Trafiku është paralizuar në disa zona të vendit. /os/