QIPRO – Costa: Groenlanda i përket popullit të saj

NIKOZIA, 7 janar /ATSH-DPA/- Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa i ka siguruar Groenlandës dhe Danimarkës solidaritet përballë pretendimeve të reja të SHBA-së për aneksimin e ishullit më të madh në botë.
“Lidhur me Groenlandën, më lejoni të jem i qartë: Groenlanda i përket popullit të saj”, tha Costa në ceremoninë e hapjes së presidencës së radhës të Bashkimit Evropian në kryeqytetin e Qipros, Nikozia.
“Asgjë nuk mund të vendoset për Danimarkën ose Groenlandën pa Danimarkën, ose pa Groenlandën. Ato kanë mbështetjen dhe solidaritetin e plotë të Bashkimit Evropian”, tha ai.
Costa tha se Evropa ishte më shumë se një koncept gjeografik, duke e përshkruar atë si një komunitet të themeluar mbi vlera të përbashkëta.
“Forca jonë kolektive bazohet në një ekonomi të begatë dhe investime në rritje në mbrojtje. Por, mbi të gjitha, bazohet nga qëndrueshmëria me të cilën i mbrojmë këto vlera”, theksoi ai.
“Kjo është arsyeja pse Bashkimi Evropian nuk mund të pranojë shkelje të së drejtës ndërkombëtare – qoftë në Qipro, Amerikën Latine, Groenlandë, Ukrainë apo Gaza”, shtoi Costa.
“Evropa do të mbetet një kampione e fortë dhe e palëkundur e së drejtës ndërkombëtare dhe multilateralizmit”, tha ai.
Shtëpia e Bardhë nuk e ka përjashtuar ndërhyrjen ushtarake për të aneksuar Groenlandën, pasi presidenti amerikan, Donald Trump tha së fundmi se SHBA-ja duhej të merrte kontrollin e territorit danez për arsye sigurie.
Groenlanda, me një popullsi prej rreth 57,000 banorësh, është kryesisht autonome, por zyrtarisht i përket Mbretërisë së Danimarkës.
Më 1 janar, Qiproja, një nga vendet më të vogla të BE-së, mori Presidencën e Këshillit të BE-së.
Kombi ishullor ka vetëm rreth 1 milion banorë. Presidenca e këshillit ndryshon çdo gjashtë muaj. Danimarka e mbajti atë deri në fund të dhjetorit. //a.i/