E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Aeroporti i Dubait pezullon të gjitha operacionet pasi mbrojtja ajrore intercepton një objekt

DUBAI, 7 mars /ATSH/- Aeroporti Ndërkombëtar i Dubait, më i ngarkuari në botë për trafikun ndërkombëtar të pasagjerëve, ka pezulluar përkohësisht të gjitha operacionet pasi një objekt ajror u interceptua nga sistemet e mbrojtjes ajrore në zonë, sipas të përditshmes italiane “RTL1025”.

Njoftimi erdhi nga Zyra e Mediave e Qeverisë së Dubait, e cila shpjegoi se vendimi u mor për arsye sigurie dhe për të garantuar mbrojtjen e pasagjerëve dhe personelit.

“Për sigurinë e pasagjerëve, të stafit të aeroportit dhe të ekuipazheve të linjave ajrore, operacionet në Aeroportin Ndërkombëtar të Dubait (DXB) janë pezulluar përkohësisht. Të gjitha procedurat po menaxhohen në përputhje me protokollet e vendosura të sigurisë”, thuhet në deklaratën zyrtare. 

Ndërkohë, kompania ajrore “Emirates” njoftoi në rrjetin social X se të gjitha fluturimet nga dhe drejt Dubait ishin pezulluar deri në një njoftim të ri.

Kompania u bëri thirrje pasagjerëve të mos shkonin në aeroport derisa të kishte përditësime të reja për situatën.

“Siguria e pasagjerëve dhe e ekuipazhit tonë është prioriteti ynë më i lartë dhe nuk do të komprometohet”, deklaroi kompania ajrore. 

Vendimi për pezullimin e operacioneve vjen në një moment tensioni të lartë në Lindjen e Mesme, ndërsa disa vende të rajonit kanë aktivizuar sistemet e mbrojtjes ajrore për shkak të raketave dhe dronëve që janë lëshuar në kuadër të përshkallëzimit të konfliktit në rajon.

Autoritetet në Emiratet e Bashkuara Arabe nuk kanë dhënë ende detaje të mëtejshme mbi natyrën e objektit të interceptuar dhe as mbi origjinën e tij.

Deri tani nuk janë raportuar viktima apo dëme nga incidenti. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›