FOKUS – Çmimet e naftës rriten pas sanksioneve të reja të Trump ndaj naftës ruse

PARIS, 23 tetor ATSH- AFP/ – Çmimet e naftës u rritën ndjeshëm sot pasi presidenti amerikan Donald Trump vendosi sanksione të reja ndaj industrisë së naftës në Rusi, në përpjekje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. “Brent North Sea”u rrit me “5,4 për qind, ndërsa “West Texas Intermediate” u rrit me 5,6 për qind në tregjet ndërkombëtare.
Presidenti Trump njoftoi masa të reja ndëshkuese ndaj dy kompanive më të mëdha të naftës në Rusi, “Rosneft” dhe “Lukoil”, duke deklaruar se bisedimet e paqes me presidentin Vladimir Putin nuk po çonin askund. Paralelisht, edhe Bashkimi Evropian shpalli një raund të ri sanksionesh, duke shtuar presionin mbi Moskën pas pushtimit trevjeçar e gjysmë të Ukrainës.
Ekspertët parashikojnë se masa të tilla do të kenë ndikim real në tregun global të energjisë. “Këto sanksione ka gjasa të ndihen dhe të krijojnë lëvizje të forta në tregje”, u shpreh analisti Arne Lohmann Rasmussen nga ” Global Risk Management”. Nga ana e saj, Rusia reagoi duke paralajmëruar se sanksionet dëmtojnë përpjekjet diplomatike dhe se vendi tashmë ka “imunitet të fortë” ndaj tyre.
Ndërkohë, raportime nga India sugjerojnë se flukset e naftës ruse drejt tregut indian mund të bien ndjeshëm, megjithëse Nju Delhi nuk e ka konfirmuar pretendimin e Trump se India ka pranuar të ulë importet. Bloomberg raportoi se furnizimet ruse drejt rafinerive indiane mund të bien pothuajse në zero.
Në tregjet financiare, bursat kryesore botërore shënuan lëvizje të ndryshme, ndërsa investitorët ndjekin edhe zhvillimet tregtare mes SHBA-së dhe Kinës. Pekini njoftoi rifillimin e bisedimeve tarifore me Uashingtonin, duke ulur tensionet tregtare.
Ndërkohë, edhe ari, si aset i sigurt në kohë pasigurie, u rimëkëmb mbi një për qind, ndërsa vëmendja në “Wall Street” mbetet te “Tesla” pas raportimit të fitimeve më të ulëta për shkak të tarifave dhe kostove shtesë./Ad.Ab/