E Hënë, 2 Nëntor 2026

SHBA – Rubio paralajmëron Izraelin: Aneksimi i Bregut Perëndimor rrezikon marrëveshjen për Gazën

UASHINGTON, 23 tetor /ATSH/- Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio tha se një lëvizje e parlamentit izraelit drejt aneksimit të Bregut Perëndimor do të kërcënonte planin e Uashingtonit për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza, sipas BBC.

“Kjo nuk është diçka që ne mund ta mbështesim tani për tani”, tha Rubio para se të nisej në Izrael, si pjesë e përpjekjeve të SHBA-së për të mbështetur marrëveshjen e armëpushimit.

Palestinezët pretendojnë se Bregu Perëndimor – i pushtuar nga Izraeli që nga viti 1967 – është pjesë e shtetit të tyre.

Vitin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë – gjykata më e lartë e OKB-së – tha se pushtimi i Izraelit ishte i paligjshëm.

Netanyahu, më herët shprehu mbështetje për aneksimin e Bregut Perëndimor, por nuk e ka zbatuar propozimin për shkak të rrezikut të armiqësimit të SHBA-së – aleatit më të rëndësishëm të Izraelit – dhe vendeve arabe të cilat kanë ndërtuar marrëdhënie me Izraelin pas disa dekadash armiqësie.

Ultra-nacionalistët në koalicionin qeverisës të Netanyahut kanë bërë vazhdimisht thirrje që Izraeli të aneksojë Bregun Perëndimor menjëherë, megjithëse projektligji u paraqit nga deputetë jashtë qeverisë.

Nuk është e qartë nëse projektligji do të ketë mbështetje për të fituar shumicën në Kneset, parlamentin me 120 vende

Ministria e Jashtme palestineze e dënoi veprimin e Kneset, duke thënë se Izraeli nuk do të kishte sovranitet mbi tokën palestineze.

Izraeli ka ndërtuar rreth 160 vendbanime që strehojnë 700,000 hebrenj gjatë pushtimit të Bregut Perëndimor dhe Jerusalemit Lindor. Rreth 3,3 milionë palestinezë jetojnë pranë tyre.

Vendbanimet janë të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar – një qëndrim i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, vitin e kaluar.

“Aneksimi do të ishte kundërproduktiv dhe kërcënues për marrëveshjen e paqes”, tha sot Rubio ndërsa hipte në aeroplan për vizituar Izraelin.

Udhëtimi i tij vjen menjëherë pas vizitës së zëvendëspresidentit të SHBA-së, JD Vance dhe dy të dërguarve të posaçëm, ndërsa administrata Trump përpiqet të nxisë fillimin e bisedimeve mbi fazën e dytë të planit të tij të paqes me 20 pika në Gaza.

Faza e parë – e cila përfshin një armëpushim, tërheqjen e pjesshme të forcave izraelite dhe një fluks ndihmash – hyri në fuqi në fillim të këtij muaji.

Si Izraeli ashtu edhe Hamasi kanë akuzuar njëri-tjetrin për shkelje të marrëveshjes për incidente vdekjeprurëse, por deri më tani kjo ka qenë e qëndrueshme.

Faza e dytë e planit të paqes do të përfshijë krijimin e një qeverie të përkohshme në Gaza, vendosjen e një force ndërkombëtare stabilizimi, tërheqjen e trupave izraelite dhe çarmatimin e Hamasit.

Lufta në Gaza filloi me sulmin e udhëhequr nga Hamasi në Izraelin jugor më 7 tetor 2023, në të cilin u vranë rreth 1 200 njerëz dhe u morën peng 251 të tjerë.

Në konfliktin që pasoi, më shumë se 68 000 palestinezë janë vrarë në Gaza, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të territorit të drejtuar nga Hamasi, shifrat e së cilës shihen nga OKB-ja si të besueshme. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›