FOKUS – Danimarka dhe Groenlanda të shqetësuara nga deklarata e Trump për aneksimin e ishullit

KOPENHAGË, 5 janar /ATSH-DPA/- Shqetësimi për Groenlandën po rritet në Danimarkë pas deklaratave të përsëritura të presidentit amerikan, Donald Trump për të marrë kontrollin e ishullit Arktik.
“Arrestimi i presidentit venezuelan, Nicolás Maduro nga SHBA-ja të shtunën – sugjeron se Uashingtoni gjithashtu, mund të jetë duke përgatitur plane të tjera tronditëse – duke përdorur kërcënimin e ndërhyrjes për të imponuar politikën e jashtme”, thanë vëzhguesit.
“Sidoqoftë, amerikanët po tregojnë se janë të përgatitur të shkojnë larg dhe se nuk u interesojnë vendet e tjera”, tha studiuesi i Arktikut, Jon Rahbek-Clemmensen nga “Akademia Daneze e Mbrojtjes” për stacionin radiofonik DR.
“Ata e konsiderojnë kontinentin amerikan si territorin e tyre. Ky është një lajm i keq për Danimarkën dhe Groenlandën”, tha ai.
Groenlanda është një territor i administruar autonomisht në Arktik dhe i përket Mbretërisë së Danimarkës.
Megjithatë, dje në mbrëmje, Trump u tha sërish gazetarëve se SHBA-ja kishte nevojë për Groenlandën nga pikëpamja e sigurisë kombëtare.
“Ishulli ka rëndësi të madhe strategjike dhe Danimarka nuk mund të garantojë sigurinë atje”, tha Trump.
Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen e hodhi poshtë pretendimin e presidentit amerikan për pronësinë e territorit.
Shumë krerë qeverish nga vendet e BE-së, si dhe kryeministri britanik Keir Starmer, mbështetën deklaratën e Frederiksen.
“Mjaft tani”, tha kryeministri i Groenlandës, Jens Frederik Nielsen, në përgjigje të deklaratës së fundit të Trump, duke postuar në Facebook “Mjaft me fantazitë e aneksimit”.
Trump pretendoi pronësinë e Groenlandës gjatë mandatit të tij të parë.
Në atë kohë, shumë drejtues në Danimarkë e hodhën poshtë këtë duke e konsideruar si shaka.
Para mandatit të tij të dytë, Trump e përmendi sërish aneksimin e Groenlandës. Që atëherë, ai ka kërcënuar vazhdimisht të marrë ishullin.//a.i/