E Diel, 1 Nëntor 2026

FRANCË – Macron kritikon metodën e përdorur për arrestimin e Maduros

PARIS, 5 janar /ATSH-DPA/-  Presidenti francez, Emmanuel Macron kritikoi sot metodën e përdorur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të arrestuar presidentin venezuelian, Nicolás Maduro dy ditë më parë.

“Kjo, as nuk mbështetet dhe as nuk miratohet nga Franca”, tha Macron gjatë një takimi të kabinetit në Paris, citoi zëdhënësja e qeverisë Maud Bregeon.

Bregeon, nuk specifikoi nëse Macron po kritikonte sulmin e SHBA-së apo vetëm mënyrën se si ishte arrestuar Maduro.

“Ne mbrojmë të drejtën ndërkombëtare dhe lirinë e popujve”, tha presidenti francez.

Deklarata e Macron vjen pasi partitë e majta të Francës kundërshtuan sulmin e SHBA-së ndaj Venezuelës, i cili kulmoi me kapjen e Maduros dhe bashkëshortes së tij, Cilia Flores dhe transportimin e tyre në Nju Jork.

Pa kritikuar veprimin e SHBA-së, Macron tha të shtunën se populli venezuelian mund të gëzohej për çlirimin nga diktatura.

“Maduro ka shkelur rëndë dinjitetin e popullit të tij”, shkroi Macron në X.

Fillimisht, kritikat për veprimin e SHBA-së erdhën vetëm nga ministri i Jashtëm francez Jean-Noël Barrot.

“Operacioni ushtarak që çoi në arrestimin e Nicolás Maduro shkel parimin e mospërdorimit të forcës mbi të cilin bazohet e drejta ndërkombëtare”, tha Barrot.

“Franca kujton se asnjë zgjidhje politike e qëndrueshme nuk mund të imponohet nga jashtë dhe se vetëm popujt sovranë vendosin për të ardhmen e tyre”, shtoi ai.

Qëndrimet e ndryshme të presidentit Emmanuel Macron dhe ministrit të Jashtëm, Jean-Noël Barrot mbi ngjarjet në Venezuelë shkaktuan habi në Francë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›