E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Po diskutojmë përfshirjen e Francës në ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë

TIRANË, 17 maj/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama njoftoi sot përfshirjen e Francës në projektin për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë, ndërsa u ndal edhe te projektet e tjera të bashkëpunimit në fushën e turizmit të qëndrueshëm, energjisë së rinovueshme e trajtimit të mbetjeve.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidentin e Francës Emmanuel Macron, Rama informoi se në takim u fol mbi mundësinë e përfshirjes së Francës në ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë dhe në këtë drejtim do të shikohet më tutje në komunikime të drejtpërdrejta se si mund të materializohet përfshirja e Francës.

Po ashtu kryeministri u ndal te tërheqja e ekselencës franceze me “Ecole 42”, shkollën prestigjioze franceze të kodimit, e pranishme në 31 shtete, që hapi dyert edhe në Shqipëri.

“Më vjen shumë mirë që falë këtij bashkëpunimi ne kemi krijuar rrugën për të sjellë ekselencën franceze në Shqipëri. Dje kemi hapur dritën jeshile për ‘Ecole 42’, një ekselencë e Francës në fushën e inovacionit e cila ka marrë mbi 1 mijë aplikime. Jam i bindur se pas publikimit të vizitës së presidentit dje, do të ketë edhe më shumë sepse akoma informacioni nuk është përhapur gjithandej”, tha Rama.

Kryeministri foli po ashtu edhe për ecurinë e projektit të Liceut Francez në Korçë, një kërkesë që komuniteti Frankofon i Korçës i drejtoir Presidentit në vizitën e tij të mëparshme.

“Sot është në fazën kur ka përfunduar studimi i fizibilitetit, ka përfunduar edhe gjithë pjesa e parë e punës dhe ne tani do të hyjmë në fazën e krijimit të kushteve për ta nisur procesin mësimor në lice në godinën ekzistuese të liceut të Francës dhe me shtimin e një sipërfaqe të re për të akomoduar të gjitha nevojat”, tha Rama.

Duke folur për bashkëpunimin me Agjencinë Franceze të Zhvillimit, Rama informoi se kjo agjenci hyri në Shqipëri me nxitjen e presidentit për të ndihmuar në procesin e rindërtimit pas tërmetit.

“Agjencia ka bërë një punë të jashtëzakonshme në Durrës me ujësjellësin, por është këtu për të vazhduar të mbështesë projekte të tjera në energji të rinovueshme dhe turizëm të qëndrueshëm”, tha Rama.

Po ashtu, kryeministri theksoi se “duam ta fuqizojmë marrëdhënie edhe në drejtim të administrimit të ujërave, ku Franca është kampione e inovacionit, eksperiencës dhe ka kompani të cilat operojnë në të gjithë botën”.

“Po ashtu kemi folur edhe për mbetjet edhe në këtë drejtim jemi duke punuar me Francën për të pasur një plan të përgjithshëm, i cili bazohet jo vetëm në strategjinë që ne kemi, por bazohet në hapa konkretë të punës. Në procesin e negociatave për anëtarësim në BE, ky është një kapitull shumë i rëndësishëm dhe këtu ne kemi shumë për të bërë. Nëse arrijmë të kemi deri në fund këtë bashkëpunim me ekselencën franceze do të jetë vlerë e shtuar dhe do të fitojmë shumë kohë”, tha Rama.

Së fundi, kryeministri veçoi projektin e realizuar te vila e diktatorit Enver Hoxha, e cila u transformua në një qendër kulturore për artistë shqiptarë dhe nga gjithë bota.

“Sot duhet të jetë kënaqësi e madhe që ta shoqërojmë presidentin për ta parë tanimë në veprim këtë projekt. Kurba e këtij transformimi nga një godinë e degraduar në një godinë që i jep energji Shqipërisë të së nesërmes është pasqyra e këtij bashkëpunimi. Ky është roli dhe fuqia që Franca sjell në këtë bashkëpunim”, tha Rama. /j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›