E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Franca do të dërgojë sisteme të mbrojtjes ajrore në Qipro pas sulmit në bazën britanike

LONDËR, 3 mars /ATSH-DPA/- Franca pritet të dërgojë sisteme të mbrojtjes ajrore në Qipro, ndërsa Britania e Madhe ka njoftuar dislokimin e mjeteve ushtarake shtesë, pas një sulmi me dron ndaj bazës ajrore britanike në ishull, në një kohë kur tensionet në Lindjen e Mesme vazhdojnë të përshkallëzohen.

Kryeministri britanik, Keir Starmer, konfirmoi se Londra do të dërgojë shkatërruesin ajror “HMS Dragon”, një nga gjashtë anijet e tipit 45 të Marinës Mbretërore, si dhe helikopterë me kapacitete kundër dronëve për të mbrojtur personelin ushtarak britanik në Qipro.

Helikopterët që do të dërgohen janë të tipit “AgustaWestland AW159 Wildcat”, të pajisur me raketa “Martlet” për ndërhyrje kundër dronëve.

Në një postim në platformën X, Starmer theksoi se Britania e Madhe është “plotësisht e përkushtuar ndaj sigurisë së Qipros dhe personelit ushtarak britanik të vendosur atje”, duke shtuar se kishte zhvilluar edhe një bisedë me presidentin e Qipros për masat e marra.

Sulmi me dron goditi bazën ajrore sovrane britanike “RAF Akrotiri”, por ministri i Mbrojtjes, John Healey, deklaroi se nuk pati viktima dhe dëmet ishin minimale.

Familjarët e personelit ushtarak janë zhvendosur si masë paraprake sigurie.

Starmer sqaroi se droni ishte lëshuar para njoftimit të tij për lejimin e përdorimit të bazave britanike nga SHBA-ja për sulme “mbrojtëse” ndaj objektivave raketore iraniane, duke mohuar që sulmi të ketë qenë një akt hakmarrjeje.

Ndërkohë, zëdhënës të qeverisë qipriote bënë të ditur se dy dronë të tjerë që po i afroheshin bazës ishin interceptuar me sukses.

Edhe Franca po planifikon të forcojë praninë e saj ushtarake në ishull.

Sipas agjencisë gjysmëzyrtare të lajmeve në Qipro, Parisi do të dërgojë një fregatë, si dhe sisteme kundër-raketore dhe kundër dronëve për të rritur mbrojtjen ajrore të vendit, në një kohë kur rajoni përballet me rrezik të shtuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Iranit dhe aleatëve perëndimorë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›