E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – G7 në takim urgjent, shqyrton lirimin e rezervave të naftës

LONDËR, 9 mars /ATSH/- Ministrat e Financave të G7, vendeve kryesore të industrializuara perëndimore do të diskutojnë sot lirimin e mundshëm të rezervave të naftës, sipas “Financial Times”.

“Qëllimi i takimit të jashtëzakonshëm është të zbutet rritja e shpejtë e çmimeve të naftës e shkaktuar nga lufta në Lindjen e Mesme”, raportoi gazeta britanike, duke cituar përfaqësuesit e G7-ës.

“Ministrat dhe drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), Fatih Birol kanë planifikuar të zhvillojnë një konferencë telefonike në orën 13:30, për të diskutuar ndikimin e luftës së Iranit”, sipas raportit.

Tri vende të G7, përfshirë SHBA-në, tashmë i kanë dhënë mbështetjen e tyre propozimit.

Shtetet anëtare të IEA-s mbajnë rezerva strategjike si pjesë e një sistemi të përbashkët emergjence për krizat e çmimeve të naftës.

Raporti i “Financial Times” tha se SHBA-ja po shqyrton lirimin e përbashkët prej 300-400 milionë fuçish, nga rezerva totale prej 1,2 miliardë fuçish.

Çmimet e naftës kanë vazhduar të rriten për shkak të luftës në Lindjen e Mesme që filloi më 28 shkurt, duke arritur pothuajse 120 dollarë për fuçi brenda natës.

Vendet i lirojnë rezervat e tyre strategjike të naftës në situata krize, për të stabilizuar tregun e naftës ose për t’iu përgjigjur mungesave të furnizimit. Kjo masë përdoret rrallë.

Në Gjermani, rezervat strategjike të naftës janë liruar katër herë deri më sot, çdo herë në bazë të vendimeve të përbashkëta nga vendet anëtare të IEA-s. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›