Nis gjykimi në themel ndaj Veliajt, gjykata pranon kërkesën e kryebashkiakut: Të njihet me aktet hetimore

TIRANË, 9 mars /ATSH/ Sot u mbajt seanca e parë në themel e procesit gjyqësor që përfshin kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, dhe një grup prej 28 personash dhe kompanish të përfshira në të njëjtën çështje penale.
Seancën e drejtoi gjyqtarja Ëngjëllushe Tahiri, ndërsa dy relatorët e çështjes ishin Alma Kodraliu dhe Rudina Palloj.
Në procesin ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj dhe të bashkëpandehurve të tjerë, në sallë ishte prokurori Ols Dado, por nuk është i pranishëm prokurori tjetër Altin Dumani.
I pranishëm ishte gjithashtu edhe biznesmeni i akuzuar për pastrim parash, Elman Abule.
Kryebashkiaku Veliaj nuk ishte i pranishëm, duke depozituar një deklaratë ku theksonte se nuk ishte njohur me aktet hetimore dhe nuk kishte avokat të përfaqësimit.
Avokatja e tij, Valentina Teodoresku, kërkoi që Veliajt t’i vihen në dispozicion të gjitha aktet e dosjes hetimore, që përfshijnë rreth 61 mijë faqe. Gjykata pranoi këtë kërkesë dhe urdhëroi që aktet t’i dorëzohen nga një oficier i SPAK pranë Burgut të Durrësit.
Bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa, nuk ishte e pranishme për shkak të shtatzënisë, ndërsa disa të pandehur të tjerë nuk morën pjesë për arsye shëndetësore ose mungese jashtë vendit.
Avokatët përfaqësuan të gjithë të pandehurit dhe kompanitë e përfshira në proces, përfshirë Rametal Shpk, Palushi Shpk, Kontakt, Gerard Shpk dhe Fusha Shpk.
Gjykata vendosi shtyrjen e seancës dhe vazhdimin e procesit më 24 mars.
/gj.m/a.f/