FOKUS – Gjermania thirrje Evropës për përgjegjësi më të madhe pas ndryshimit të qëndrimit të Trump për Ukrainën

BERLIN, 24 shtator /ATSH/ – Evropa duhet të “rritet dhe të marrë më shumë përgjegjësi” në mbështetje të Ukrainës pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili mbështeti Kievin për të rikuperuar të gjithë territorin e humbur ndaj Rusisë, tha sot ministri gjerman i Jashtëm, Johann Wadephul, sipas Reuters.
Duke folur për radion gjermane “Deutschlandfunk”, Wadephul theksoi se Trump e kishte kuptuar se përpjekjet e tij për të bindur Vladimir Putinin të përfundojë luftën në Ukrainë kishin dështuar.
Komentet e presidentit amerikan në platformën “Truth Social” shënuan një ndryshim të papritur dhe të madh retorik për Trump, i cili më parë kishte sugjeruar që Ukraina të hiqte dorë nga territoret për të dhënë fund konfliktit dhe kishte mirëpritur Putinin në Alaskë muajin e kaluar.
Megjithatë, nuk është menjëherë e qartë nëse Trump do të shoqërojë fjalët e tij me një ndryshim në politikën amerikane, një pasiguri që mund të vendosë mbi Europën barrën për të përmbushur më shumë nevojat e Ukrainës për armë dhe financa, ndërsa roli i Uashingtonit pakësohet.
“Ne duhet vërtet të rritemi… duhet të bëhemi më sovranë”, tha Wadephul.
“Prandaj duhet të shohim se çfarë mund të arrijmë vetë. Mund të arrijmë shumë më tepër, jo të gjitha shtetet evropiane kanë përmbushur premtimet ndaj Ukrainës. Duhet të shohim opsionet e tjera financiare dhe ushtarake që kemi”.
Sipas Wadephul, komentet e Trump ishin të mira për Ukrainën dhe për Europën, pasi presidenti “duhet të pranojë që përpjekjet e tij të konsiderueshme me Putinin deri tani kanë dështuar”. Megjithatë, ai paralajmëroi se rritja e përpjekjeve të sigurisë nga Europa nuk do të jetë e lehtë.
Dy zyrtarë perëndimorë, duke folur për “Reuters” nën kusht anonimiteti, paralajmëruan gjithashtu se Trump mund të sinjalizojë se tani është përgjegjësia e Europës të ndihmojë Ukrainën.
“Duket sikur po thotë lamtumirë, apo jo? Por kjo mund të ndryshojë nesër. Megjithatë, kartat për ne janë të qarta. Ne e dimë se çfarë duhet të bëjmë”, tha një zyrtar perëndimor evropian.
Një diplomat i lartë nga Evropa Lindore tha se komentet e Trump për Ukrainën synonin të tregonin një ndryshim pozicioni dhe të dërgonin mesazhin se “tashmë është çështje e Europë”.
Në postimin e tij në mediat sociale, Trump deklaroi se “me kohë, durim dhe mbështetje financiare nga Evropa dhe, veçanërisht, NATO, kufijtë origjinalë nga ku nisi kjo luftë janë një opsion shumë i mundshëm”.
SHBA-ja ka qenë prej kohësh mbështetësi më i madh i Ukrainës dhe furnizuesi kryesor i armëve, por që kur mori detyrën, Trump ka insistuar që Europa të marrë një pjesë më të madhe të barrës së vet të mbrojtjes. Në një masë kjo ka filluar të ndodhë.
Anëtarët evropianë të NATO-s kanë rritur shpenzimet për mbrojtje dhe kanë furnizuar Ukrainën me mbrojtje ajrore nën një sistem të ri, duke përdorur armë nga rezervat amerikane me fonde nga vendet e NATO-s.
Bashkimi Evropian po diskuton gjithashtu një plan për të ripërdorur asetet e ngrira për të rritur ndihmën financiare ndaj Ukrainës, ndërsa synon të rrisë presionin e sanksioneve ndaj Rusisë, pavarësisht rrezikut për të dëmtuar besimin e huaj në investime në bono perëndimore.
Aksionet evropiane të sektorit të mbrojtjes shënuan sot fitimet më të mëdha në indeksin pan-evropian “STOXX 60” të mërkurën pas deklaratave të Trump.
Një indeks i kompanive të aeronautikës dhe mbrojtjes “SXPARO” u rrit 0,8 për qind pranë niveleve rekord dhe duke performuar më mirë se “STOXX 60” i përgjithshëm i rajonit, i cili ishte ulur 0.45 për qind. /Ad.Ab./