RUSI – Kremlini: Luftën po e vazhdojmë për të ardhmen tonë, pasi nuk kemi alternativë

MOSKË, 24 shtator /ATSH-ANSA/ – Zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, deklaroi se Kremlini po vazhdon luftën në Ukrainë për të mbrojtur interesat e tij si për të tashmen ashtu edhe për të ardhmen e vendit.
“Nuk kemi alternativë”, shtoi ai.
“Po vazhdojmë operacionin tonë të posaçëm ushtarak për të mbrojtur interesat tona dhe për të arritur qëllimet që komandanti i përgjithshëm suprem dhe presidenti i vendit tonë, Vladimir Putin, vendosi që në fillim. Dhe po e bëjmë këtë si për të tashmen ashtu edhe për të ardhmen e vendit tonë, pasi nuk kemi alternativë”, tha Peskov në një intervistë me RBK.
“Rusia nuk është një tigër, Rusia është më e lidhur më ngushtë me një ari. Nuk ka arinj letre. Rusia është një ari i vërtetë. Putini e ka përshkruar vazhdimisht dhe me shkallë të ndryshme emocionesh ariun tonë. Nuk ka asgjë të shëmtuar në këtë”, shtoi Peskov, si kundërpërgjigje ndaj komenteve të presidentit të SHBA-së Donald Trump se Rusia i ngjan një “tigri prej letre” dhe ekonomia e saj është në krizë.
Peskov deklaroi se pavarësisht “disa pikave tensioni” të lidhura me një numër të madh kufizimesh dhe sanksionesh, Rusia ruan stabilitetin e saj makroekonomik.
“Trump është një biznesmen që po përpiqet ta detyrojë të gjithë botën të shpenzojë më shumë para për naftën dhe gazin amerikan”, tha Kremlini pas sulmeve të djeshme ndaj Rusisë nga presidenti amerikan.
“Ekonomia e Rusisë po funksionon në një mënyrë të tillë që i plotëson plotësisht nevojat e forcave tona të armatosura, të cilat po vazhdojnë operacionin e tyre të posaçëm ushtarak”, deklaroi ai.
“Fakti që ata po përpiqen në çdo mënyrë ta nxisin Ukrainën të vazhdojë operacionet ushtarake, një tezë se Ukraina mund të rifitojë diçka është e rreme”, shtoi Peskov, pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump deklaroi se Ukraina mund të rifitojë territoret e saj./ a.jor.