E Hënë, 2 Nëntor 2026

FOKUS – Hungaria sfidon BE: Nuk do të pranojmë asnjë emigrant

BUDAPEST, 10 dhjetor /ATSH-DPA/ – Hungaria nuk do të zbatojë mekanizmin e solidaritetit për migracionin të dakordësuar nga Bashkimi Evropian dhe nuk do të pranojë asnjë emigrant të vetëm, tha sot një zyrtar i lartë qeveritar.

Gergely Gulyás, kreu i Zyrës së Kryeministrit të Hungarisë, i bëri këto komente në një konferencë për shtyp në Budapest, duke përsëritur kundërshtimin e hershëm të qeverisë së krahut të djathtë ndaj politikave të migracionit të BE-së.

Të hënën, ministrat e Brendshëm dhe të Drejtësisë të BE-së arritën një marrëveshje mbi të ashtuquajturin Mekanizëm Solidariteti, i cili përfshin një sistem për shpërndarjen e emigrantëve midis shteteve anëtare të BE-së.

Sipas planit, vendet që nuk janë të gatshme të pranojnë refugjatë mund të ofrojnë në vend të kësaj kontribute financiare ose mbështetje materiale.

Pakti pritet të hyjë në fuqi në qershor 2026.

“Ne nuk do ta zbatojmë paktin e migracionit”, tha Gulyás.

Ai shtoi se BE-ja “nuk ka autoritet për të vendosur me kë duhet të jetojnë hungarezët” dhe vuri në dukje një referendum të vitit 2016 në të cilin votuesit hodhën poshtë atë që qeveria e përshkroi si zhvendosjen e detyruar të migrantëve nga BE-ja.

Referendumi u zhvillua një vit pas kulmit të krizës së refugjatëve të vitit 2015, gjatë së cilës Hungaria ngriti gardhe me tela me gjemba përgjatë kufijve të saj me Serbinë dhe Kroacinë për të bllokuar migrimin përgjatë rrugës ballkanike.

Kryeministri hungarez Viktor Orbán ka qenë në konflikt me Komisionin Evropian për vite me radhë për shkak të politikave të tij kufizuese të azilit.

Në vitin 2024, Gjykata Evropiane e Drejtësisë gjobiti vendin për shkelje të përsëritura të ligjit të azilit të BE-së, duke vendosur një gjobë të vetme prej 200 milionë eurosh (232 milionë dollarë) dhe një gjobë ditore prej një milion eurosh për mosrespektim./ /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›