E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Inteligjenca ushtarake gjermane paralajmëron për rritjen e spiunazhit rus dhe kinez

BERLIN, 14 shtator /ATSH-DPA/- Agjencia gjermane e kundërzbulimit ushtarak, MAD, paralajmëroi sot se kërcënimi nga spiunazhi rus dhe kinez, sulmet hibride dhe sabotazhi ndaj Gjermanisë është në rritje.

Në raportin e saj vjetor, MAD e cilëson Gjermaninë si “objektiv të prioritizuar të aktiviteteve ruse të spiunazhit”.

Sipas saj, pozicioni strategjik i Gjermanisë në Evropë dhe NATO, zgjerimi i ushtrisë gjermane dhe futja e sistemeve të reja të armatimit, kanë rritur interesin e shërbimeve të huaja të inteligjencës.

Agjencia thotë se situata e kërcënimeve hibride është përkeqësuar, duke përfshirë, sulme kibernetike; sulme me dronë; përpjekje për ndikim politik dhe sabotime ndaj transportit, energjisë dhe telekomunikacioneve.

MAD paralajmëron gjithashtu për rritjen e përdorimit të agjentëve të rekrutuar në nivele të ulëta, të cilët mund të angazhohen për aktivitete sabotazhi.

Sipas raportit, ambasadat dhe organizatat gjysmëqeveritare ruse, përdoren si mbulim për aktivitetet e spiunazhit, ndërsa përmenden edhe agjenci mediatike.

Shqetësim për ushtarakët gjermanë

MAD shpreh shqetësim edhe për ushtarakët gjermanë që udhëtojnë jashtë vendit.

Disa prej tyre kanë udhëtuar në Rusi dhe Bjellorusi, në disa raste për të vizituar familjarë.

Sipas raportit, gjatë këtyre udhëtimeve disa ushtarakë kanë tërhequr vëmendjen e shërbimeve të inteligjencës së këtyre vendeve, duke krijuar rrezik për shantazh ose kërcënime.

Kina gjithashtu në fokus

Raporti paralajmëron se disa aktivitete të mbikëqyrjes ndaj infrastrukturës ushtarake gjermane, përfshirë fluturimet e dronëve mbi zona ushtarake dhe hyrjet e paautorizuara në prona të Bundeswehr-it, mund t’u atribuohen shërbimeve kineze të inteligjencës.

MAD thotë gjithashtu se shërbimet kineze përdorin diasporën kineze për aktivitetet e tyre të inteligjencës. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›