FOKUS – Irani intensifikon sulmet ndaj objektivave energjetike, goditen cisterna në Gji

BAGDAD, 12 mars /ATSH/ – Sulmet ndaj objektivave energjetike në Gji janë intensifikuar, pasi dy cisterna karburanti u goditën nga shpërthime pranë brigjeve të Irakut dhe u përfshinë nga flakët, sipas BBC.
Ngjarja ndodhi pranë portit jugor të Basrës dhe detyroi ndërprerjen e përkohshme të operacioneve në terminalet e naftës.
Autoritetet irakiane njoftuan se 38 anëtarë të ekuipazhit u shpëtuan nga anijet e goditura, ndërsa një person humbi jetën. Njëra nga cisternat ishte anija “Safesea Vishnu”, nën pronësi amerikane dhe me flamur të Ishujve Marshall, ndërsa tjetra, “Zefyros”, ishte nën pronësi greke dhe me flamur maltez. Sipas menaxherëve të anijes, ajo u godit gjatë një transferimi karburanti mes dy anijeve.
Agjencia shtetërore iraniane IRNA raportoi se Garda Revolucionare Islamike goditi njërën nga anijet, duke pretenduar se ajo kishte injoruar paralajmërimet. Autoritetet më herët kishin thënë se “Safesea Vishnu” ishte sulmuar nga një mjet i shpejtë pa pilot.
Ndërkohë, disa sulme të tjera janë raportuar në rajon. Depo karburanti janë goditur në Bahrein dhe Oman, ndërsa një anije kontejnerësh në pronësi kineze u godit nga një predhë pranë brigjeve të Emirateve të Bashkuara Arabe, duke shkaktuar një zjarr të vogël në bord.
Në Dubai, një dron dyshohet se ka rënë mbi një ndërtesë të lartë, duke shkaktuar dëme.
Rreth 20% e naftës botërore kalon zakonisht përmes Ngushticës së Hormuzit dhe përshkallëzimi i konfliktit ka shtyrë çmimet e naftës në rritje të fortë, duke arritur në një moment në rreth 100 dollarë për fuçi.
Zyrtarë iranianë paralajmëruan se çmimi mund të arrijë deri në 200 dollarë për fuçi nëse tensionet në rajon vazhdojnë të përshkallëzohen. /Ad.Ab./