E Martë, 3 Nëntor 2026

SKOCI – Trump do të shkurtojë afatin 50-ditor të armëpushimit në Ukrainë, ndërsa sulmet ruse vazhdojnë

EDINBURG, 28 korrik /ATSH-DPA/- Presidenti amerikan Donald Trump ka sugjeruar se do të vendosë një afat të ri për Rusinë – për të rënë dakord për një armëpushim me Ukrainën, gjatë një takimi sot me kryeministrin britanik Keir, Starmer në Skoci.

Presidenti i SHBA-së tha se ishte “shumë i zhgënjyer” me presidentin rus Vladimir Putin, duke kritikuar vendimin e tij për të vazhduar sulmet ajrore kundër objektivave civile në Ukrainë.

“Mendonim se e kishim zgjidhur, dhe pastaj presidenti Putin nis të lëshojë raketa në qytete si Kievi – duke vrarë shumë njerëz në një azil pleqsh apo çfarëdo qoftë”, tha Trump duke folur përkrah Starmer jashtë hotelit të tij në Turnberry, South Ayrshire.

“Ka trupa të shtrirë kudo në rrugë, dhe unë them se kjo nuk është mënyra e duhur për të vepruar. Do të shohim se çfarë do të ndodhë”, tha ai.

Këtë muaj, Trump kërcënoi se të vendoste tarifa “shumë të ashpra” ndaj Rusisë nëse Putini nuk binte dakord për një armëpushim brenda 50 ditëve – një afat i cili do të përfundonte më 2 shtator.

“Do të shkurtojmë afatin prej 50 ditësh që njoftuam më herët për armëpushimin në Ukrainë. Mendoj se e di tashmë përgjigjen, çfarë do të ndodhë”, tha sot Trump.

Përpjekjet për të siguruar një armëpushim në Ukrainë pritet të jenë në fokus të takimit Trump-Starmer , duke përfshirë situatën në Gazë dhe progresin në zbatimin e marrëveshjes tregtare BM-SHBA. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›