E Martë, 3 Nëntor 2026

SONDAZH – Gjermanët preferojnë Zvicrën për të emigruar

BERLIN, 28 korrik /ATSH-DPA/ – Më shumë se gjysma e popullsisë gjermane mund ta imagjinojë veten duke emigruar jashtë vendit, dhe jo vetëm për shkak të dimrave të ftohtë.

Sipas një sondazhi të fundit, shumë gjermanë ndihen gjithnjë e më të pakënaqur me atdheun e tyre.

Kur u pyetën “nëse do të ishit tërësisht të pavarur profesionalisht, privatisht dhe financiarisht, a mund të magjinonit të largoheshit nga Gjermania dhe të emigronit jashtë”?, 31% u përgjigjën “me siguri po” dhe 27% “ndoshta po”.  Ndërsa 22% u shprehën “ndoshta jo” dhe 15% “me siguri jo”, sipas sondazhit të realizuar nga “YouGov”.

Mbështetësit e partisë së djathtë AfD ishin veçanërisht të prirur për emigrim, 55% thanë se do të emigronin “me siguri” dhe 24% “ndoshta”.  Kjo parti është më e fortë në lindje të Gjermanisë, ku shumë njerëz ende përballen me pasojat e tranzicionit të vështirë pas ribashkimit në vitin 1990.

Nëse do të largoheshin, Zvicra është zgjedhja më e preferuar për gjermanët (30%), e ndjekur nga Austria (23%), Spanja (22%) dhe Kanadaja (17%).

Sipas historianes së migrimit Simone Blaschka, kjo prirje drejt Zvicrës dhe Austrisë është e qëndrueshme që nga vitet 1990 dhe ndikohet edhe nga fakti që atje flitet gjermanisht dhe sistemi politik është i ngjashëm.

Zvicra është veçanërisht e preferuar nga mbështetësit e AfD dhe FDP-së.

“Historikisht, motivi kryesor për emigrim ka qenë problemi ekonomik, siç është recesioni i dy viteve të fundit. Por për të pasur një valë të vërtetë emigrimi, gjendja duhet të përkeqësohet për disa vite me radhë”, thotë Blaschka.

Ajo shton se zhgënjimi me zhvillimet politike është rrallë herë shkak kryesor për emigrim. Megjithatë, përjashtime kanë ekzistuar, si në vitet 1920 kur oficerë të krahut të djathtë emigruan në Amerikën Latine sepse nuk e pranonin kthesën e Gjermanisë drejt demokracisë. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›