FOKUS – Izraeli zgjeron sulmet ajrore ndaj objektivave ushtarake në Iran

TEL AVIV/TEHERAN, 4 mars /ATSH-DPA/ – Ushtria izraelite njoftoi sot se ka nisur goditjen e objektivave ushtarake në Iran.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) deklaruan në Telegram se kanë “filluar një valë të gjerë sulmesh që synojnë vendet e lëshimit të raketave të regjimit iranian, sistemet e mbrojtjes ajrore dhe infrastrukturë të tjera shtesë”.
Agjencia iraniane e lajmeve “Tasnim” raportoi për shpërthime në kryeqytetin Teheran. Ndërkohë, sipas IDF-së, Irani ka qëlluar në drejtim të Izraelit, ndërsa sistemet mbrojtëse janë duke vepruar për të interceptuar kërcënimin. Gazeta ”The Times of Israel” bëri të ditur se fillimisht nuk janë raportuar të lënduar.
Që nga nisja e luftës së fundit kundër Iranit gjatë fundjavës, Forcat Ajrore izraelite kanë kryer mbi 1 600 misione dhe kanë shkatërruar rreth 300 platforma lëshimi raketash, sipas deklaratave të tyre.
SHBA-ja dhe Izraeli nisën një ofensivë të gjerë kundër Iranit të shtunën, duke shkaktuar përshkallëzim rajonal, pasi Teherani u kundërpërgjigj me lëshimin e raketave drejt bazave amerikane në disa shtete të Gjirit. /Ad.Ab./