E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Konfuzion rreth nisjes së bisedimeve SHBA-Iran në Oman

TEHERAN, 6 dhjetor /ATSH-DPA/ – Pasiguria ka shoqëruar nisjen sot të negociatave mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, ndërkohë që media iraniane ka dhënë raportime kontradiktore mbi faktin nëse bisedimet kanë filluar apo jo në kryeqytetin e Omanit, Muskat.

Bisedimet ishin planifikuar të nisnin në orën 10:00 (06:00 GMT).

Disa media raportuan se ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, kishte mbërritur në vendin e negociatave, ndërsa televizioni shtetëror iranian deklaroi se diskutimet me delegacionin amerikan, të udhëhequr nga i dërguari special Steve Witkoff, ende nuk kishin filluar.

Araghchi më herët ishte takuar me ministrin e Jashtëm të Omanit, Badr al-Busaidi, i cili po ndërmjetëson bisedimet mes dy vendeve.

Sipas gazetës “The Wall Street Journal”, që citon burime nga qeveria amerikane, në negociata pritet të marrë pjesë edhe komandanti i forcave të armatosura të SHBA-së në rajon, admirali Brad Cooper.

Sipas raportimeve të mëparshme të mediave shtetërore iraniane, delegacioni i Teheranit synon të përqendrohet ekskluzivisht te programi bërthamor i Iranit.

Shtetet e Bashkuara, megjithatë, kërkojnë të trajtojnë gjithashtu programin e raketave balistike të Iranit dhe mbështetjen e tij për milicitë rajonale.

Bisedimet zhvillohen në një klimë të tensionuar, në sfondin e kërcënimeve të përsëritura të ish-presidentit amerikan Donald Trump për përdorimin e mundshëm të forcës ushtarake. /Ad.Ab./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›